
Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe pjesëmarrja e qytetarëve në parandalim e këtij ekstremizmi ishte tema e tryezës e organizuar në komunën e Hanit të Elezit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë diskutimi ishin përfaqësues të autoriteteve të qeverisjes lokale,shoqërisë civile, bashkësisë fetare, Policisë së Kosovës dhe aktorë tjerë relevant për këtë debat.
Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha se kjo qendër që nga Shtatori 2015 është duke implementuar projektin: “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm – Përfshirja e qytetarëve në parandalim”. Ky projekt ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit qytetar në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, si dhe rritjen e komunikimit ndërmjet qytetarëve, institucioneve shtetërore në drejtim të koordinimit dhe bashkëpunimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.
Kreu i komunës së Hanit të Elezit z.Rufki Suma duke e vlerësuar këtë temë si tejet aktuale tha se fatkeqësisht shoqëria e jonë më shumë po merret me pasojat se sa me shkaqet reale të paraqitjes së ekstremizmit të dhunshëm. Ai tha se ky fenomen duhet të vlerësohet në shumë dimensione nga se në vete ka dimensionin fetar që është shumë e ndjeshme për qytetarët tanë. Nuk është mirë që një komunitet të identifikohet me individë të cilët kanë devijuar nga parimet e vërteta të islamit.
Kryetari Suma tha se që nga fillimi i këtij fenomeni kam apeluar që të rinjtë tanë të mos i bashkohen luftërave në Siri nga se atje po zhvillohet luftë vëllavrasëse dhe nuk ka asgjë të përbashkët me parimet e vërteta të Islamit. Ai me këtë rast përmendi edhe rolin e mediave të cilët për arsye të exluzivitetit po bëjnë propagandë të individëve të cilët nuk e meritojnë as të përmenden e të zënë vend në mediat tona.
Kryetari Suma tha se fatmirësisht individët e përfshirë në këto aktivitete të identifikuara si ekstremizëm fetarë nuk kanë ndikim në shoqëri, ndërsa për të ardhmen e tyre do të merren organet e drejtësisë.
Komnadanti i Stacionit Policorë Han të Elezit z.Nuhi Dema duke prezantuar gjendjen e sigurisë në Komunën e Hanit të Elezit tha se ajo përkundër zhvillimeve të cilat janë identifikuar si forma të ekstremizmit fetarë mbetet e qetë dhe stabile. Të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete gjenden në procese gjyqësore apo nën mbikëqyrje të policisë. Është për të vlerësuar se gjatë gjithë kohës nuk ka pas reagim të qytetarëve ndaj veprimeve të policisë për të parandaluar këto aktivitete.
Muhamet Suma Kryetarë i KBI-Hani i Elezit e vlerësoi lartë iniciativën për mbajtjen e këtyre tryezave në mënyrë që të identifikohen shkaqet e ekstremizmit dhe të gjenden mënyrat e parandalimit dhe eliminimit të tyre. Ai tha se qëndrimi i BIK-ut është i qartë “Dhuna është e kundërta e paqes –Islamit” .
Në përmbledhjen e të gjithë ajeteve kur`anore, demantohen të gjitha ata të cilët gjykojnë se Islami është fe e dhunës dhe e imponimit. Në fenë islame nuk ka dhunë tha z.Suma.
Ndërsa z.Fahredin Vërbovci, nga Departamenti për Siguri në Bashkësi theksoi rolin e Këshillave komunale për siguri në bashkësi si forum shumë dimensional i cili mundë të kontribuojë në parandalimin e ekstremizmit.
Në këtë tryezë pune me kontribut të saj u prezantua edhe Mr.Besa Islami Prodekane e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë. Znj.Islami prezantoi një qasje shumë racionale ndaj shkaqeve të paraqitjes së ekstremizmit në komunën e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut, Ajo këtë e ndërlidhi me mungesën e investimeve dhe lënien pas dore të këtyre komunave shumë të rëndësishme nga qeveria e Kosovës.
Papunësia, vështërsit në shkollim, mungesa e investimeve në të cilët do të përkrahnin aktivitete rinorë janë disa nga shkaqet që ky fenomen të jetë prezent në këto komuna. Fatin e njëjtë është duke e përjetuar edhe Bashkësia Islame Hanit të Elezit e cila duhet të përkrahet më shumë nga BIK-u për shkak të rrethanave të krijuara.
Duke u nisur nga përvoja e sajë shumëvjeçare si ligjëruese në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë ajo tha se ka pas shumë studente nga kjo trevë të cilat përkundër vështërsive për tu shkolluar janë shquar për zotësi dhe modesti por që të njëjtat sot e kësaj dite janë të papuna.