Hani i Elezit 03.02.2014
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural edhe këtë vit do të vazhdoj të mbështes sektorin e drithërave, përmes pagesave direkte për njësi të sipërfaqes së mbjellë me kulturën e grurit, farës për grurë, misërit dhe lulediellit. Niveli i mbështetjes do të jetë:
- Pagesa Direkte – Grurë: 125 €/ha
- Pagesa Direkte – Farë gruri: 225 €/ha
- Pagesa Direkte – Misër: 100 €/ha
- Pagesa Direkte – Luledielli: 100 €/ha
Fermerët që aplikojnë duhet t’i plotësojnë këto kushte:
·Duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
· Të kenë mbjellë së paku 2 ha tokë me grurë;
·Të kenë mbjellë së paku 1 ha tokë me misër në pronësi;
·Të kenë mbjellë së paku 1 ha tokë me luledielli në pronësi;
·Të kenë mbjellë minimum 5 ha dhe maksimum 100 ha tokë me grurë për prodhimin e farës së grurit;
·Parcela e mbjellë me grurë, misër ose luledielli, duhet të jetë në minimum 0.20 ha e pandarë;
·Parcela e mbjellë me grurë për prodhimin e farës së grurit, duhet të jetë në minimum 1 ha e pandarë;
·Fara e mbjellur e grurit duhet të jetë në Listën e Lejuar të Farës (vetëm për fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri);
· Sipërfaqja e tokës e marrë me qira, duhet të jetë e kontraktuar së paku për një vit;
· Sipërfaqja e tokës e marrë me qira duhet të jetë 1 ha e pandarë;
· Sipërfaqet e mbjella me grurë për fare duhen plotësuar kriteret gjate inspektimit fushor (vetëm fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri)
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
- Aplikacioni i plotësuar;
- Kopja e letërnjoftimit të Republikës së Kosovës;
- Konfirmimin nga banka për xhirollogarinë bankare te aplikuesit;
- Kopjen e certifikatës së regjistrimit të biznesit për personat juridik;
- Dëshminë nga kadastra për sipërfaqen e tokës së punueshme në pronësi (fletën poseduese);
- Kontrata për sipërfaqen e marrë me qira, duke bashkangjitur fletën poseduese të qiradhënësit;
- Dëshmi për pagesën e tatimit në pronë;
- Dëshminë mbi kategorinë e farës së mbjellur për farë gruri (vetëm fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri);
- Kontratën me kompaninë prodhuese të farës (vetëm fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri);
- Formularin për sipërfaqet e mbjellura për farë gruri (e verifikuar nga MBPZHR, vetëm fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri);
- Raportin e Inspektoriatit fitosanitar nga inspektimet fushore I dhe II (vetëm fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri) ;
- Deshmine per sasine e grurit te dorezuar kompanise prodhuese të farës (ti bashkëngjitet dokumentacionit pas korrjes se grurit dhe vlen vetëm për fermerët që aplikojnë për pagesa direkte për farë gruri).
Periudha e aplikimit:
Aplikimi zgjatë 45 ditë kalendarike dhe fillon prej momentit të thirrjes për aplikim.
Aplikimi bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi përmes programit sLPIS.
Mënyra e aplikimit:
Të gjithë fermerët fillimisht, gjatë aplikimit janë të obliguar të plotësojnë formularin për regjistrim në Regjistrin e fermerëve, i cili është parakusht për përfitimin e mbështetjes.
· Gjatë procedurës së kontrollit, në rast të gjetjes së shkeljeve do të aplikohen masa ndëshkimore, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ MBPZHR Nr.02/2014 për Pagesat Direkte në Bujqësi për vitin 2014.
Sqarim:
· Dokumentacioni për aplikim duhet të dorëzohet në dy kopje dhe brenda periudhës së aplikimit.
Dorëzimi i dokumentacionit pas përfundimit të afatit të publikuar, nuk do të pranohet për shqyrtim.
· Fermerët përfitues për pagesat direkte për farë të grurit do te paguhen vetëm për sipërfaqet e pranuara për farë të grurit dhe dëshmisë mbi sasinë e dorëzuar te farës së grurit bazuar ne rendimentin mesatar te grurit për vitin aktual.