Po e ndjek nga afër situatën e krijuar pas paraqitjes së rasteve me simptoma të gastroenteritit në komunën tonë.
Që nga momenti i parë, bashkë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe institucionet përgjegjëse, jemi angazhuar maksimalisht për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e kujdesit të nevojshëm për secilin qytetar.
Deri më tani, nga 13 deri më 15 korrik, në QKMF janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa vetëm 5 raste kanë pasur nevojë të referohen për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në QKUK. Gjithashtu, janë ofruar rreth 300 terapi venoze për pacientët që kanë kërkuar ndihmë. Dua t’i falënderoj sinqerisht mjekët, infermierët dhe gjithë stafin shëndetësor për punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm. QKMF-ja disponon terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.
Janë marrë mostrat përkatëse dhe janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Jemi në pritje të rezultateve zyrtare, të cilat do të sqarojnë shkakun e kësaj situate.
Deri atëherë, ju ftoj të mos i besoni spekulimeve apo informatave të pakonfirmuara. Çdo informacion i ri do të bëhet publik në kohë nga institucionet përkatëse.
Ju lutem, tregoni kujdes të shtuar për veten dhe familjet tuaja, sidomos gjatë këtyre temperaturave të larta. Respektoni rregullat bazë të higjienës dhe, nëse shfaqni simptoma, drejtohuni menjëherë në QKMF për ndihmë mjekësore.
Shëndeti dhe siguria e secilit qytetar do të vazhdojnë të jenë prioriteti ynë kryesor