Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem pjesë e shënimit të 30 vjetorit të Shkollës së Mesme “Dardania” në Han të Elezit — një institucion që për tri dekada ka qenë vatër e dijes, edukimit dhe formimit të shumë gjeneratave.
Në këtë jubile të rëndësishëm, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të sinqertë për të gjitha gjeneratat e arta të mësimdhënësve, të cilët ndër vite, me përkushtim e sakrificë, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e të rinjve tanë.
Me respekt të veçantë kujtoj edhe të gjithë ata qytetarë e familje shqiptare që, në kohët më të vështira të regjimit jugosllav, kur arsimi shqip shtypej dhe mohohej, hapën dyert e shtëpive të tyre dhe i shndërruan ato në objekte mësimi, vetëm që nxënësit shqiptarë të vazhdonin shkollimin në gjuhën amtare. Ai kontribut ishte akt guximi, rezistence dhe dashurie të madhe për arsimin dhe kombin.
Gjatë kësaj dite të veçantë, në kuadër të jubileut të 30 vjetorit të shkollës, u nda edhe një mirënjohje post mortum për babanë tim, Misim Ballazhi, për kontributin e çmuar në lëshimin e shtëpisë për zhvillimin e mësimit shqip gjatë vitit shkollor 1991–1992. Për familjen time ishte një moment emocional dhe krenarie, ndërsa për mua një rikujtim i fortë i sakrificës që shumë familje shqiptare kanë bërë për ta ruajtur arsimin shqip në kohët më të vështira.
Një falënderim dhe vlerësim i merituar shkon edhe për drejtorin aktual të shkollës, Zyber Xhoni, për punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij në avancimin e vazhdueshëm të këtij institucioni të rëndësishëm arsimor.
Urime të gjithë profesorëve, nxënësve, ish-nxënësve dhe secilit që ka qenë pjesë e rrugëtimit 30 vjeçar të Sh.M.L. “Dardania”. Uroj që kjo shkollë të vazhdojë të mbetet simbol i dijes, suksesit dhe krenarisë së Hanit të Elez