Deklaratën e Miratuar nga Kuvendi i Komunës
Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit, Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të dënuar me burg disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur si Grupi i Drenicës për krime lufte e vlerëson si një një vendimi krejtësisht politik dhe tendencë e përhershme e EULEX-it për të degraduar luftën çlirimtare të UÇK-së.
Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po u vëhet në kurriz një barrë tepër e rëndë që nuk u takon atyre, diçka që është krejtësisht e huaja për ta. Në vitet e Luftës Çlirimtare janë vrarë e zhdukur mbi 15.000 shqiptarë, janë zhdukur familje të tëra, janë djegur e plaçkitur mbi 200.000 shtëpi dhe po kaq ekonomi familjare, janë shkatërruar objekte të shumta ekonomike, shkollore, shëndetësore, fetare e kulturore.
Serbia vazhdon lojën me eshtrat e të zhvarrosurëve në Kosovë e të varrosur në pjesë të ndryshme të Serbisë. Regjimi që pasoi pas kriminelit Millosheviq luan më ndjenjat e familjeve të të zhdukurëve, me pritje të gjata e me ankth edhe 16 vjet pas luftës në Kosovë.
Fajtorin e vërtetë, Serbinë, po e amnestojnë, dhe kjo nuk është hera e parë.
Organizimi i gjahut në ish – pjestaret e UÇK-së, gjoja për “ krimet “ e luftës mbi civilët dhe burgosja e pjesëtarëve të UÇK-së si në shumë raste më herët, do të mbetet një skandal politik që nuk do të mbulohet me asnjë dëshmi serioze gjyqësore.. Të kësaj natyre janë edhe të gjitha arrestimet, burgosjet, denimet e pjestarëve të UÇK-së mbi bazën e deshmitarëve të rrejshëm e të motivuar politikisht. Shumë të akuzuar e të arrestuar, pasi janë mbajtur me muaj të tërë në burgje, në mungesë të fakteve janë liruar si te pafajshëm.
Misionet e tilla të si ”UNMIK-u”, ” EULEX-i” për herë të parë e shtrijnë mandatin e tyre në një shtet dhe si askund në botë kanë hasur në respekt dhe mikëpritje të sinqert në Kosovë.
Por sa më shumë po përulemi, aq më e rëndë po na bëhet padrejtësia, aq më dërrmuese pritja për Drejtësinë Perëndimore, për Demokracinë.
Dhurata e radhës e kësaj Demokracie është “Gjykata Speciale”.
Dhe pas shumë rasteve të dështuara të Gjykatave të UNMIKUT, të Tribunalit të Hagës, të EULEXI-it, kësaj “Gjykate Speciale” nuk do ti mbetet gjë tjetër pos të denoj të gjithë ata që morrën guximin dhe armën në dorë të mbrojnë vendin e tyre.
Me anë të kësaj deklarate bëjmë ftesë Institucioneve të Kosovës, të partive politike, të mediave të shkruara dhe elektronike, të shoqërisë civile, që të ndalen ndjekjet për Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare dhe të kontribojmë të gjithë që vlerat e luftës çlirimtare të mos na mohohen përditë para syve tanë .