Hani i Elezit 03.09.2014
Përmes kësaj deklarate publike në emër të komunës së Hanit të Elezit, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj vendimit të Radiotelevizionit të Kosovës që të injorojë apo të bojkotojë transmetimin e drejtpërdrejtë të “Akademisë Përkujtimorë” me rastin e 29 Gushtit – Ditës së Dëshmorëve të Hanit të Elezit.
29 Gushti – Dita e Dëshmorëve të Hanit të Elezit është ndër datat më të rëndësishme për qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit, ditë e shënimit të veprës dhe sakrificës të banorëve të kësaj ane për një shtet të lirë dhe demokratik.
Për 14 vite me radhë e kemi shënuar këtë ditë me nderimet më të larta për Dëshmorët e Kombit, të komunës se Hanit te Elezit dhe ish ushtarët e UÇK-së të cilët nuk kursyen as jetën e tyre që sot të jetojmë të lirë.
Ky vit ishte 15-vjetori, vit jubilarë dhe dëshira e jonë ishte që këtë vepër madhore të dëshmorëve të Hanit të Elezit të ja prezantojmë opinionit të gjerë të Kosovës përmes një Akademie Përkujtimore e cila do të transmetohej drejtpërdrejt nga Televizioni Publik i Kosovës (RTK) dhe se kjo Akademi për herë të parë u mbajt në Prishtine në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Duke e rrespektuar si institucion publik, RTK-në e kemi njoftuar me kohë dhe me agjendën e planifikuar si dhe i kemi bërë ftesë që në përputhje me kapacitetet e saja të mundësojë këtë transmetim. Përveç shkreses si institucion komunal, në bashkeveprim me Shoqaten e Familjeve te Deshmorve të UÇK-së të nivelit qendror, ku edhe ata i jane drejtuar me shkresë të veçant RTK-së për transmetim të drejtpërdrejtë, dhe përmes tyre jemi njoftuar se RTK-ja do te ndjek këtë Akademi ashtu sikurse e kemi planfikuar me agjendë.
Dhe kur çdo gjë ishte gati, vetëm 30 minuta para fillimit të Akademisë Përkujtimore, përmes Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të nivelit qendror jemi njoftuar se nuk do të realizohet transmetimi i drejtpërdrejtë, që na pamundësoi që këtë ngjarje të rëndësishme ta transmetojmë përmes ndonjë televizioni tjetër.
Dëshmorët e Hanit të Elezit nuk janë dëshmorë vetëm të Hanit të Elezit por janë dëshmorë të Kombit, ashtu siç janë dëshmorët e Drenicës, Dukagjinit, Llapit, Karadakut, Nerodimes, e të gjithë trevave tjera të Kosovës e më gjërë. Andaj ata duhet të trajtohen njësoj dhe me respekt të njëjtë dhe se ky akt i RTK-se ishte një fyerje dhe injorim jo vetëm për qytetarët tonë por edhe për familjet e dëshmorve të Hanit te Elezit.
Jemi dëshmitar se shumë shpesh përmes RTK-së janë transmetuar Akademi Përkujtimore apo manifestime të ndryshme qoftë edhe për një dëshmor (që mendojmë se ia vlen, sepse po të mos ishin Dëshmorët as ne nuk ishim këtu ku jemi sot) ndërsa kur është në pyetje Hani i Elezit deri me tani nuk kemi patur asnjë transmetim të drejtperdrejt bile edhe rrallë ndonjë herë që mbahet mend që RTK-ja të ketë përcjellur ndonjë ngjarje të rëndësishme për Hanin e Elezit, e sidomos kur ka te bëjë me ngjarje dhe data të rëndësishme historike.
Radiotelevizioni i Kosovës zyrtarisht është institucion publik dhe financohet nga paratë publike, nga taksapaguesit, qytetarë të Kosovës, pjesë e së cilës janë edhe qytetarët e komunës së Hanit të Elezit, por në bazë të veprimeve praktike po del se RTK-ja është institucion politik i partisë në pushtet që përcjell vetëm ngjarjet që organizohen nën patronatin e tyre.
Pa dashtë të paragjykojë arsyen e vërtetë të këtij vendimi kjo nuk i bënë nderë RTK-së.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit
Rufki Suma