Hani i Elezit 23.10.2012
Komuna e Hani të Elezit vazhdimisht është ballafaquar me probleme serioze në fushën e furnizimit me ujë të pijes, dhe së bashku me Programin e Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal ka filluar një studim fizibiliteti (realizueshmërie) në mënyrë që të propozohen masa/veprime për përmirësimin e furnizimit me ujë si dhe mirëmbajtjen e sistemit.
Kjo ishte edhe tema e punëtorisë për gjendjen e furnizimit me ujë në Han të Elezit dhe hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim që është organizuar nga Komuna e Hanit të Elezit në bashkëpunim me Programin e Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal, financuar nga Sida dhe implementuar nga UN HABITAT-i.
Prezantim mbi gjendjen me furnizim me ujë dhe hapat e mëtutjeshëm për përmirësimin e furnizimit me ujë e bëri z. Gunnar Settergreen (specialist për ujë dhe kanalizime)
Në dokumentin e prezantuar ai tha se sikurse e tërë Kosova, por me disa specifika më të theksuara, edhe Hani i Elezit përballet me shumë vështirësi në këtë drejtim. Që prej zanafillës së ofrimit të organizuar të këtij shërbimi në qytet, duke filluar nga viti 2001 e këtej, KRU e Ferizajt asnjëherë nuk e ka përfshirë këtë sistem brenda tërësisë së saj si në aspektin menaxhues ashtu edhe në ofrim të shërbimeve. Përkundrazi gjendja në terren mbetet njëjtë alarmante që nga fillimi e deri më sot. Administrata lokale që nga themelimi i saj ka bërë disa kërkesa dhe takime me krerët e KRU të Ferizajt, duke filluar nga viti 2006, por situata nuk ka ndryshuar për të mirë.
Në vitin 2011 Komuna e Hanit të Elezit vendosi që të formojë Kompaninë Lokale Publike për Ujësjellës, Kanalizim dhe Mbeturina. Deri më sot kompania nuk ka mundur të licencohet si publike edhe pse vazhdon të ofrojë shërbimet e përmendura dhe të menaxhojë sistemin në tërësi me gjithë problematikat e veta.
Si pasojë e mosmenaxhimit të sistemit të ujësjellësit, që nga fillimi janë evidentuar vazhdimisht ndotje të ujit, prishje në rrjet, keqpërdorim të ujit, humbje të tij, mungesa gjatë periudhës verore, etj. Nga viti 2010 (me investimet më të fundit) dhe me krijimin e Kompanisë Komunale kjo situatë ka filluar të ndryshojë për të mirë, por len ende për të dëshiruar.
Mos menaxhimi zyrtar i sistemit të ujësjellësit është një nga shkaqet kryesore të gjendjes së rëndë nëpër të cilën kanë kaluar shfrytëzuesit që nga fillimi e deri më sot. Mungesa e Autoritetit Zyrtar Përgjegjës ka sjellur deri të mos funksionimi fizik i sistemit të ujësjellësit dhe kualiteti i ulët i ujit të ofruar.Mungesa e menaxhimit dhe mbikëqyrjes ka sjellur edhe kyçje të shumta ilegale duke e dëmtuar seriozisht rrjetin.
Pas identifikimit në hartë të të gjitha kyçjeve në ujësjellës dhe krahasimit të këtyre të dhënave me regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive, rezulton se janë gjithsej 5348 banorë që furnizohen me ujë nga sistemi i ujësjellësit të Hanit të Elezit.
Ky numër përbën diku rreth 56% e numrit të përgjithshëm të popullsisë së Hani të Elezit.
Kjo punëtori është e para nga dy sosh që do të organizohen ne kuadër të realizimit të projektit për studimin e realizueshmërisë për rregullimin dhe mirëmbajtjen e sistemit dhe shërbimit të ujësjellësit në Han të Elezit.
Projekti në fjalë është duke u kryer me mbështetjen e programit MuSPP të UN Habitat-it.
Zyra për Informim