Hani i Elezit-19.01.2011
Në vazhdën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në mes të Komunës së Hanit të Elezit dhe Programit të Mbështetjes së Komunave në Planifikim Hapësinor (MuSPP 2), financuar nga Sida dhe implementuar nga UN HABITAT-i sot është bërë prezentimi i parë i ,,Vlerësimit strategjik mjedisor i PZHK i Hanit të Elezit.
Kjo marrëveshje parasheh që UN HABITAT-i do ti japë mbështetje teknike administratës komunale gjatë hartimit “në shtëpi” të Planit Zhvillimor Komunal dhe Planit Zhvillimor Urban.
Pas hartimit të draftit të PZHK-së i cili gjatë tërë këtij procesi ka kaluar nëpër të gjitha fazat e parapara duke përfshirë edhe hapjen zyrtare të shqyrtimit publik dhe i cili do të jetë i hapur deri më 17.02.2011 në lokalet e administratës komunale, edhe hartimi i PlanitcZhvillimor Urban (PZHU) ka vazhduar sipas projekt planit dhe është në fazën e hartimit të skenarëve dhe diskutimit të gjerë publik që në këtë fazë të projektit është më se e domosdoshme.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor nr. 03/L-230, ky dokument është paraparë të hartohet për çdo plan ose program që hartohet nga të gjitha nivelet institucionale duke përfshirë edhe PZHK-në që hartohet nga nivelet qeverisëse lokale/komunat. Ligji përcakton kushtet, mënyrën dhe procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të planeve dhe programeve të caktuara, përmes integrimit të parimeve të mbrojtjes së mjedisit në procedurën e përgatitjes, miratimit dhe realizimit të planeve dhe programeve, me synim të promovimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Hani i Elezit në bashkëpunim me UN HABITAT-in proceduan gjithashtu edhe me hartimin e këtij dokumenti. Angazhimi profesional ishte i shumë domethënës për faktin se ky lloj vlerësimi i PZHK-së hartohej për herë të parë në Kosovë. Gjithashtu edhe konsulenca me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mungoi. Në takimin mes MMPH-së dhe Komunës së Hanit të Elezit së bashku me UN HABITAT-in, ku morën pjesë edhe Sekretari i Përhershëm, drejtori i Departamentit të Planifikimit dhe udhëheqësja e Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit të kësaj Ministrie nga njëra anë dhe zyrtarëve komunal dhe zyrtarëve të UN HABITAT-it (përfshirë edhe konsulentin profesional angazhuar enkas për hartimin e këtij vlerësimi) në anën tjetër; u çmua lart angazhimi dhe puna e mirë në hartimin e VSM-së (vlerësimit strategjik mjedisor) për PZHK-në e Hanit të Elezit si dhe u potencua rëndësia e këtij dokumenti si shembull për komunat apo planet tjera.
Gjatë prezantimit para strukturave komunale pjesëmarrëse si zyrtarëve të ndryshëm, drejtorëve, grupit të planifikimit, anëtarëve të asamblesë, u theksua se VSM aplikohet për planet që kanë nevojë për vlerësim ose parashikim të ndikimit të veprimeve të parapara strategjike në mjedis. U prezantuan edhe gërshetimet e qëllimeve strategjike të PZHK-së dhe të VSM-së, se si këto çështje janë adresuar në PZHK si dhe masat qe duhet të ndërmerren që të minimizohen këto ndikime negative. Gjithashtu u përmendën detajisht fushat ku këto ndikime janë me të theksuara, disa mënyra të monitorimit të implementimit të planeve si dhe ishte shumë i rëndësishëm shkoqitja e një shembulli të trajtimit mjedisor të një fabrike të çimentos në Portugali.
Vlerësimi Strategjik Mjedisor është përfunduar si draft dhe do t’i nënshtrohet debatit publik siç parashihet edhe me ligj.
Zyra për Informim