Policisë së Kosovës çdo ditë e më shumë po i shtohen kuadro të reja, si në moshë por edhe në gjini, dhe ky është një hap i madh për rininë e Kosovës, e që unë konsideroj se detyra për të qenë pjesë e organeve të rendit dhe qetësisë në shtetin ku kemi lindur e rritur është akt patriotik që duhet vlerësuar.
Sot, kisha nderin e veçantë, që nën udhëheqjen e Hetuesit të Policisë së Kosovës në Han të Elezit, Shpend Bela, mirëprita edhe disa nga pjesëtarët e rinjë që i shtohen Policisë së Kosovës: Meleke Kuka, Elvana Bushi, Kaltrina Shorra dhe Albert Mjaku.
Hetues Shpendin e përgëzova për udhëheqjen profesionale të Policisë së Hanit të Elezit me kuadrot e reja, ndërsa Melekes, Elvanës, Kaltrinës dhe Albertit iu shpreha urimin për detyrën e re nën uniformën e Policisë së Kosovës dhe vlerësimin tim për guximin e tyre për t’iu futur një rruge me rrezikshmëri, por njëkohësisht detyrë që ngërthen në veten e saj krenari, nder dhe përulje për shtetin tonë.
Kosova është një vend i sigurt dhe rendi e qetësia po kalon në duart e pjesëtarëve të rinjë energjik, entuziastë dhe profesionalë.