Hani i Elezit 24.12.2012
Në takimin e fund vitit me gazetarët kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma shpalosi të arriturat dhe sfidat nëpër të cilat kaloi komuna e Hanit të Elezit gjatë vitit 2012.
Vitin 2012 po e përmbyllim me bindje të plotë se kemi arritur objektivat e planifikuar për këtë vit tha në fillim të takimit z. Suma. Sfidat e ekzekutivit të komunës së Hanit të Elezit kanë qenë si politike ashtu edhe ekonomike e sociale.
Në fillim të vitit kemi bërë dorëzimin zyrtarë të Padisë kundër Serbisë në Prokurorinë Speciale të Eulexit për Krimet që shteti i Serbisë i ka bërë kundër popullatës së Hanit të Elezit nga viti 1989 deri 12 qershor të vitit 1999.
Gjithashtu në vazhdimësi kemi reaguar edhe kundër përdorimit zyrtarë të Hanit të Elezit në gjuhën serbe si Gjeneral Jankoviq,ndaj të gjitha institucioneve si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Ky reagim dhe këmbëngulsia e jonë më në fund dhanë edhe rezultatin aq të dëshiruar dhe ky emërtim u hoq nga përdorimi zyrtarë me plotësimin e Ligjit për Kufij Administrativ në gusht të këtij viti.
Me iniciativën time dhe me përkrahjen e këshilltarëve të kuvendit komunal në fillim të këtij viti kemi marrë vendimin për heqjen e shpenzimeve të varrimit për të gjitha rastet mortore në komunën e Hanit të Elezit vendim ky që u mirëprit nga qytetarët e komunës tha z. Suma.
Ai nuk mbeti pa përmendur edhe bashkëpunimin shumë të mirë me Legjislativin e Komunës së Hanit të Elezit duke theksuar se gjatë këtij viti janë marrë 44 vendime dhe miratuar 6 rregullore.
Në vazhdim z. Suma u ndal në implementimin e buxhetit të vitit 2012. Ai tha se vitin 2012 e kemi filluar me 1.686.726 € ,për ta plotësuar me 87.958,30€ me bartjen e të hyrave të pa shpenzuara nga viti 2011 si dhe me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me të cilin rritet buxheti edhe për 100.000,00 € me ç’rastë buxhet i përgjithshëm për vitin 2012 arrin 1.874.684,30 €.
Për investime kapitale nga ky buxhet ishin planifikuar të realizohen projekte në vlerë prej 511.414.19 € mirëpo falë mirëkuptimit të donatorëve të ndryshëm të cilët përkrahën komunën e Hanit të Elezit me 728.832,23 € , vitin 2012 po e përmbyllim me totalin i shpenzimeve kapitale në vlerën 1.110.694,35 €.
Në implementimin e buxhetit të vitit 2012 jemi kujdesur që të mbulohen sektorët vital të zhvillimit të komunës sonë si infrastruktura , arsimi , shëndetësia dhe shërbimet publike tha në vazhdim z. Suma.
Projekti kryesorë për vitin 2012 është fillimi i asfaltimit të rrugës Hani i Elezit – Puset e Nikës të cilën jemi duke e realizuar me MAPL-në dhe MI-në dhe presim ta përfundojmë vitin e ardhshëm.
Ashtu siç e kishim planifikuar , këtë vit kemi investuar në fushën e arsimit , përkatësisht në pajisjen e shkollave me mjete të teknologjisë informative dhe atë me projektorë dhe llaptop dhe për nxënësit dhe arsimtarët e shkollave tona kemi siguruar nivel modern të procesit arsimorë. Në këtë drejtim është siguruar edhe përkrahja e aftësimit profesional për stafin arsimorë përmes programeve për ngritje profesionale. Këtë vit është përuruar edhe qendra për aftësim profesional në bashkëpunim me programin e USAID-BEP-it që do të avancojë edhe më shumë ngritjen profesionale në fushën e teknologjisë informative si të arsimtarëve ashtu edhe të nxënësve.
QKMF,, Menduh Kaloshi” si bartëse e shëndetësisë në komunën tonë ka pas përkrahje të fuqishme nga donatori kryesorë për këtë vit CARITAS-i i Luksemburgut. Kjo qendër gjatë tërë vitit është pajisur me mjete moderne dhe pajisje tjera për të cilin do t’ia kishin lakmi edhe qendrat më të mëdha shëndetësore.
CARITAS-i i Luksemburgut përmes programit për ndihmë komuniteti të fshatit Seçishtë ka investuar në shumë projekte në fushën e gjenerimit të të hyrave vetanake në sektorin e bujqësisë si furnizim me lopë , serra , e bletë por edhe ka ndihmuar edhe në programe të barazisë gjinore përmes trajnimeve të rrobaqepësisë.
Vlera e përgjithshme e investimeve të CARITAS-it për këtë vit në komunën e Hanit të Elezit kalojnë shumën prej 90.000,00 €.
Gjatë vitit 2012 kujdes të veçantë i kemi kushtuar edhe shërbimeve publike përkatësisht menagjimit të mbeturinave . Edhe në këtë rast kemi pas mirëkuptimin e donatorëve. Përmes ,, Marrëveshjes së Mirëkuptimit “ me LOGOS-in e Zvicrës kemi realizuar projektin e furnizimit me kontejner për të gjitha familjet e Hanit të Elezit tha në vazhdim z. Suma.
Kryetari i komunës z. Suma shpalosi në mënyrë kronologjike edhe një mori të marrëveshjeve të arritura të cilat i kanë karakterizuar zhvillimet dhe proceset pozitive në komunën e Hanit të Elezit gjatë vitit 2012.
Zyra për informim