Hani i Elezit 10.04.2014
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma priti në takim një delegacion të Bashkësisë Islame të Kosovës të udhëhequr nga myftiu Naim Tërnava.
Në këtë takim të ngrohtë dhe miqësor, kreu i komunës Rufki Suma dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës myftiu Naim Tërnava diskutuan mbi situatën e përgjithshme në Kosovë, në veçanti në komunën e Hanit të Elezit. Në këtë kontest, janë vlerësuar lartë raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës
Kryetari i komunës, Rufki Suma, të parin e Bashkësisë Islame të Kosovës e ka njoftuar edhe mbi rrjedhat e zhvillimeve ekonomike dhe sociale në komunën e Hanit të Elezit.
Kryetari Suma tha se komuna e Hanit të Elezit përkundër kapaciteteve të kufizuara buxhetore ka arritur që të realizojë shumë projekte në vitet e fundit të cilat kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm të komunës në infrastrukture, arsim e shëndetësi.
Kryetari Suma theksoi bashkëpunimin shumë të mirë me BIK-un nga Hani i Elezit me ç’rast përmendi edhe "Marrëveshjen e Mirëkuptimit” ndërmjet komunës së Hanit të Elezit dhe BIK-ut për heqjen e shpenzimeve mortore për të gjithë banorët e komunës.
Ai falënderoi myftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë vizitë dhe deklaroi gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtejmë me Bashkësisën Islame të Kosovës.
Duke uruar për besimin e marrë nga qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit, Myftiu Tërnava, uroi kryetarin e komunës Rufki Suma që me mandatin e tij si kryetar i një komune të vogël për shumëçka mund të vlerësohet si model në shtetin tonë.
Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka bashkëjetuar me fatin e popullit të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe ka dhënë kontributin e vet në të gjitha proceset politike e historike të vendit.
Në takim, u biseduan edhe disa dukuri që janë shqetësuese, si pjesëmarrja e të rinjëve të Kosovës në zonat e luftës në Lindjen e Afërt. Si pasojë ne po përballemi me ngjarje të papëlqyeshme, pasi që disa njerëz tanë janë ndodhur në vende që nuk do të duhej të ishin, me ç’rast përmendi ngjarjet në Turqi dhe në Irak.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, bëri thirrje të rinjve kosovar që të mos shkojnë në Siri. Sipas tij lufta në Siri nuk ka të bëjë asgjë me fenë atje po zhvillohet luftë ndër-vëllazërore.Shkuarja në Siri nuk ka të bëjë asgjë me parimet islame dhe vdekja në tokën e Sirisë nuk ka të bëjë asgjë me vlerat që mund t’i ketë një dëshmor apo një shehid.
Ai apeloi te të gjithjë institucionet të cilët kanë ndikim, por edhe familjarëve që të punojnë më shumë në parandalimin e shkuarjes së të rinjve në luftë në Siri, si dhe të angazhohen për kthimin e atyre që tashmë ndodhen atje.
Luftimi i kësaj të keqeje të madhe është obligim i përbashkët i institucioneve dhe të gjitha hallkave të shoqërisë. Në këtë drejtim edhe BIK do të japë kontributin e vet. Ne kemi mënyrën tonë të sjelljes shoqërore dhe nuk kemi nevojë për të sjellë konfliktet e të tjerëve në vendin tonë.
Myftiu Tërnava dhe delegacioni i BIK-ut të Kosovës ishin të shoqëruar nga kryetari i Këshillit të BIK-ut në Han të Elezit, Muhamet Suma dhe anëtarë tjerë të BIK-së në Han të Elezit.
Zyra për Informim