Hani i Elezit 15.04.2014
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, në kuadër të vizitave nëpër Komunat e Kosovës është takuar sot me kryetarin e komunës Rufki Suma.
Ministrja Çitaku në fillim të takimit përgëzoi kryetarin Suma për të arriturat, duke shtuar se ndjehet shumë krenare me punën që është duke e bërë kryetari Suma, që si kandidat i pavarur ka arritur të fitojë një komunë dhe të jetë shembull për kryetarët dhe komunat tjera.
Ajo tha se takimi ka për qëllim të koordinimit rreth agjendës Evropiane, procesit të Liberalizimit të Vizave dhe bashkërendimit të aktiviteteve zhvillimore për vendin tonë.
Ajo falënderoi kryetarin Suma për angazhimin e komunës së Hanit të Elezit në procesin e riatdhesimit të qytetarëve duke premtuar ndihmën e ministrisë për t’u përballur me sfidat e riatdhesimit të qytetarëve në komunë, si dhe do të angazhohet në nivel qeveritar për përkrahjen e komunës së Hanit të Elezit në zhvillim ekonomik.
Në takim është diskutuar ngritja e nivelit të bashkëpunimit për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, trajtimi i dukurisë së migrimit të parregullt, por edhe mundësitë e aplikimit në projekte në kuadër të granteve komunale në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian ku Ministria e Integrimit Evropian mundë të asistojë në projekte konkrete apo në fonde të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA).
Duke falënderuar për vizitën Kryetari Suma tha se komuna e Hanit të Elezit në kuadër të kapaciteteve të saja është duke e përkrahur procesin e riatdhesimit. Ai tha se ka një numër të caktuar të personave të cilët janë paraqitur pranë zyrës komunale për persona të riatdhesuar dhe se të gjithë kanë marrë përkrahjen e kërkuar nga ne, në përputhe me kriteret dhe varësisht nga asistenca të cilën e kanë kërkuar. Kryetari Suma tha se është në dijeni se një numër i caktuar të cilët janë riatdhesuar, nuk janë paraqitur në zyrën komunale, por të cilë kanë shfrytëzuar kapacitetet vetanake, por kemi edhe raste kur ngurrojnë të paraqiten në zyrën tonë për arsye të ndryshme.
Kryetari Suma u zotua se komuna e Hanit të Elezit do të vazhdojë të jetë e përkushtuar të kontribojë në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, si dhe në parandalimin dhe trajtimin e dukurisë së migrimit të parregullt.
Zyra për Informim