Dita e fundit e Javës Kulturore në Komunën e Hanit të Elezit është përmbyllur me një varg të aktiviteteve kulturore e sportive.
Nga ora 10.oo holli i shtëpisë së Kulturë ,,Imri Curri “ është shëndruar në Galeri Artistike falë punimeve të Arbonita Bushit nxënëses së shkollës së mesme të ulët ,,Ilaz Thaçi” nga Hani i Elezit
Para shumë qytetarëve artdashës ajo shpalosi ekspozitën e sajë individuale me 40 punimet e saja, punime këto të gjinive të ndryshme të artit figurativ .Duke u falemnderuar për rastin e dhënë , nxënësja Arbonita Bushi , tha se është nder i madh që me punimet e saj të behet pjesë e e këtij manifestimi kulturore , duke e ftuar me këtë rast kryetarin e Komunës Rufki Suma që të bëjë hapjen solemne të kësaj ekspozite .
Duke uruar për punën , angazhimin dhe talentin e Arbonitës , z. Suma tha se manifestimet e këtij viti kane rëndësi të veçante pasi këtë vit po festojmë 100 vjetorin e shtetit Shqiptarë dhe gjithsesi angazhimi i të gjitha atyre që do të kontribuojnë në madhështinë e këtij përvjetori do të jenë të mirëseardhur.
Pas hapjes, ekspozitën e vizituan shumë qytetarë të komunës së Hanit të Elezit , të shoqëruar nga vet autorja, të cilët mbetën të mahnitur me veprat e kësaj nxënëseje .
Aktivitet sportive të kësaj dite filluan nga ora 11.oo me ,, Vrapimin Tradicional" i cili organizohet me rastin e 11 Qershorit Ditës së Çlirimit të Hani të Elezit .
Mbi 100 atlet të moshave dhe kategorive të ndryshme nga të gjitha viset Shqipëtare ishin paraqitur në linjën e garimit për tu bërë pjesëmarrës në këtë ngjarje sportive.
Nën patronatin e Komunës së Hanit të Elezit këtë ,,Vrapim Tradicional" e organizoi Federata e Atletikës e Kososovës e cila këtë garë e ka futur në orarin e garave zyrtare të atletikës së Kosovës.
Federata e Atletikës së Kosovës është përkujdesur që për të gjithë fituesit të ndajë Mirënjohje dhe Kupa,
Shtegu i cili ishte i planifikuar për të gjitha kategoritë e garuesve ju mundësoi atletëve të demonstrojnë aftësitë e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe të përmbyllet në përputhje me standardet e kësaj federate.
Fituesit e ,, Vrapit Tradicional – Hani i Elezit 2012" për këtë vit janë:
Në kategorinë nxenës shkolle – Senad Qajani- Hani i Elezit
Në kategorinë nxënëse shkolle – Xhemile Kalisi- Hani i Elezit
Ne kategorinë Pionierë – Ron Krasniqi Pejë
Në kategorinë Junior-Florian Begaj Malishevë
Në kategorine Juniore-Gresa Bakraçi Pejë
Në kategorinë Seniore –Brikenda Bakraçi Pejë
Në kategorinë Senior- Meritan Hasanaj Pejë
Dhe çmimin simbolik të 100 vjetorit të Pavarësisë i takoi atletit Genc Lushaj –Tiranë Shqipëri
Aktivitet e kësaj dite përfunduan me finalen e turnirit të futbollit të vogël e cila u zhvillua në ora 19.oo para shumë shikuesve në sallën ,,Toni Sport”.
Në garën eliminatore ,nga 18 ekipet garuese ,në finale u gjenden ekipet,, Pancho Vila’’ nga Hani i Elezit dhe,, Bardhi’’ nga Bllaca e Shkupit.
Pas një loje dinamike dhe shumë të mirë të treguar nga dy ekipet, vendit të parë iu gëzuan anëtarët e ekipit futbolistik ,,Bardhi’’ të cilët e fituan ndeshjen me rezultat 2:1.
Dy ekipet finaliste komuna e Hanit të Elezit i shpërbleu me veshje sportive të cilat i shpërndau Drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, Nesim Dernjani ,ndërsa kupën për ekipin fitues,, Bardhi’’ të turnirit të këtij viti e ndau Kryetari i Komunës Rufki Suma .
Për realizimin e ,,Javës Kulturore “ Hani i Elezit 2012, Komuna e Hanit të Elezit u ndihmua edhe nga Ministria e Kulturës- Departamenti për Kulturë Rini dhe Sport , me 1200 € ,si dhe donatorët Pro-CreditBank dhe NLB-Bank.
Zyra për Informim