Mbahet mbledhja e shtatë –VII- të rregullt për vitin 2012 e Kuvendit të Komunës të Hanit të Elezit e cila kishte këtë ;
RENDI I PUNËS
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar.
2. Korniza afat mesme buxhetore për vitin 2013-2015.
3. Informatë mbi suksesin e arritur të nxënësve në SHFMU dhe SHML në fund të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollorë 2011-2012
4. Shqyrtimi i raportit gjashtë mujor të punës së kryetarit të komunës.
5. Miratimi i raportit gjashtë mujor të shpenzimeve buxhetore.
6. Miratimi i propozim vendimit për përcaktimin e taksave për shitjen e mbeturinave drusore.
7. Miratimi i kërkesës së MMPH për dhënien e pëlqimit për deponimin e mbeturinave të azbest çimentos.
8. Shqyrtimi dhe plotësimi i rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të komunës së Hanit të Elezit.
9. Propozim vendim për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve –Hani i Elezit për mbështetje financiare.
10. Informatë mbi raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunës së Hanit të Elezit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2011.
11. Pyetje dhe përgjigje
Edhe përkundër numrit të madh të pikave të rendit të punës për shqyrtim për këtë seancë,megjithatë me propozimet e dala nga këshilltarët u vendos qe rendi i punës të plotësohet edhe me dy pika të reja dhe atë ;
-Shqyrtimi i çështjes me furnizim me ujë në komunën e Hanit të Elezit ,si dhe
-Propozimi për organizimin e një vizite studimore në Shqipëri.
Pas miratimit të procesverbalit këshilltarët morrin në shqyrtim pikat e rendit të ditës të planifikuara për këtë seancë.
Korniza afatmesme buxhetore komunale e Hanit të Elezit, është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës, është e përpiluar në përputhje me procedurat buxhetore 2013-2015, të dhëna nga MF (Ministria e Financave) përmes Qarkores buxhetore 2013/01 për Komunat si dhe financimi nga grantet ndërqeveritare dhe kufijtë fillestar të buxhetit komunal për vitin 2013 dhe parashikimet për 2014-2015.
Korniza Afatmesme Makroekonomike e Komunës sonë është ne përputhje me Kornizën Afatmesme Makroekonomike të Kosovës dhe dokumenteve që dalin nga Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH).
Në përgjithësi mund të thuhet se fondet nga transferet qeveritare dhe të hyrat vetanake komunale për momentin nuk paraqesin potencial të mjaftueshëm financiar për zhvillimin e komunës, meqë nga të hyrat e përgjithshme 61.02% të tyre përdoren për mbulimin e të ardhurave personale të punëtorëve, 10.49% për mallra dhe shërbime, 1.91% për shpenzime komunale , 1.85% për Subvencione dhe transfero dhe 24.72 % e mjeteve buxhetore shpenzohen për investime publike.
Kështu e prezantoi para këshilltarëve kornizën afatmesme buxhetore Drejtori i DBF z. Shabi Rexhallari, duke prezantuar edhe planin afatmesëm komunal për investime kapitale.
Plani i prezantuar ngjalli debat te këshilltarët se sa është i realizueshëm ,duke u bazuar në të dhënat e prezenatuara. Duke i vlerësuar të gjitha projektet si të nevojshme dhe të arsyeshme ,megjithatë mendimet u ndanë në vendosjen e prioriteteve. Me këtë rast u miratua propozimi i këshilltarit Zylbehar Hasallari, që përparësi në investimet komunale do te kenë fshatrat apo lagjet të cilat arrijnë shkallë më të lartë të inkasimit të të hyrave vetanake.
Informatë mbi suksesin e arritur të nxënësve në SHFMU dhe SHML në fund të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollorë 2011-2012 e prezantoi Drejtori i DKA-së z. Nesim Dernjani i cili me këtë rast potencoi suksesin e arritur të nxënësve si në testimin e maturës ashtu edhe në testin e arritshmërisë.
Pa shumë vërejtje këshilltarët miratuan raportin gjashtë mujor të punës së kryetarit të komunës,si dhe miratimi i raportit gjashtë mujor të shpenzimeve buxhetore.
Kuvendi mirato edhe vendimin për përcaktimin e taksave për shitjen e mbeturinave drusore si dhe ta kaloj për diskutim publik shqyrtimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të komunës së Hanit të Elezit.
Këshilltarë miratuan edhe propozimi për mbështetje financiare Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve –Hani i Elezit .
Miratimi i kërkesës së MMPH për dhënien e pëlqimit për deponimin e mbeturinave të azbest çimentos ngjalli debat ndër këshilltarët.E përbashkët e këtij debati ishte brenga e këshilltarëve që ky projekt shumë i rëndësishëm të zbatohet në standardet më të larta të mbrojtjes së ambientit
Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve ,nënkryetari i komunës z. Muzafer Dernjani tha se ajo që kërkohet nga ne është që të vendosim për lokacionin se ku do të vendosen këto mbetje. Për sa i përket aspekteve tjera përgjegjëse do të jetë MMPH-ja dhe jam shumë i bindur se ata janë të vetëdijshëm për rëndësin e këtij projekti dhe se do te aplikohen të gjitha standardet e nevojshme.
Këshilltarët e kuvendit të komunës vendosën që të kërkojnë nga ekzekutivi të mundësoj organizimin e vizitës studimore në Shqipëri në muajin shtatorë.
Zyra për Informim