Kuvendi i komunës së Hanit të Elezit mbajti mbledhjen e tretë të rregullt për vitin 2014 dhe për rendë të ditës kishte:
1.Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar
2.Miratimi i raportit të punës së Komitetit për komunitetet për vitin 2013.
3.Miratimi i raportit të punës së tre Komiteteve Konsultative për vitin 2013.
4.Shqyrtimi i njoftimit për aktivitete e Këshillit komunal për siguri në Bashkësi për vitin 2013.
5.Miratimi i planit të punës të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2014.
6.Miratimi i emërtimeve të rrugëve të vendbanimeve të Komunës së Hanit të Elezit.
7.Shqyrtimi i Projekt Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Administrative.
8.Miratimi i propozim vendimit për përkrahjen e lehonave në Komunën e Hanit të Elezit.
9.Pyetje dhe përgjigjeje.
Me mbledhjen udhëhoqi kryesuesi i kuvendit z.Qamush Brava, ndërsa në mbledhje ishte prezent edhe kryetari i komunës z.Rufki Suma.
Mbledhja filloi me miratimin e rendit të ditës, pas së cilës fjalën e mori kryesuesi i grupi të këshilltarëve të PDK-së z.Mirsad Shkreta.
Në deklaratën e tij para këshilltarëve të kuvendit të komunës z.Shkreta tha se që nga sot jep dorëheqje nga të gjitha postet në Partinë Demokratike të Kosovës dhe si pasojë e kësaj edhe nga grupi i këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Hanit të Elezit. Në arsyetimin e këtij vendimi z.Shkreta tha se ka qenë anëtar i PDK-së që nga themelimi i sajë dhe këshilltarë i kuvendit të komunës në tre legjislacione. Gjatë këtyre viteve kam parë iniciativën e PDK-së dhe rritjen e sajë në vite. Bashkë kemi projektuar shumë suksese dhe të arritura, jemi munduar të promovojmë vlera demokratike, të marrim pjesë në proceset e vështira të shtet formimit dhe në nivel lokal të jemi pjesë e qeverisjes lokal duke dhënë kontributin e nevojshëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sot rrethanat kanë ndryshuar, një parti e cila për mua ka qenë simbol i luftës për të udhëhequr popullin drejt aspiratave euroatlantike është shëndrruar në një parti në luftë me vetveten. Një parti ku mungon demokracia e brendshme, ku interesat personale janë mbi interesat e ideologjisë partiake dhe mbi interesat e qytetarëve. Kemi shkëputje komplet të instancave qendrore nga baza, kemi mungesë të komunikimit brenda forumeve partiake dhe nuk ka debat të brendshëm partiak, por ka individ të caktuar që marrin vendime për çështje shumë të rëndësishme. Unë e kam obligim moral, njerëzorë dhe intelektual që të reagojë nga ajo që quhet ndërgjegjeje kolektive. Në këto rrethana unë mendoj se në bazë të konsultave dhe asaj që kemi përcjellë dhe kemi parë në opinionin publik se hapësirën e tillë për veprim për momentin më jep Lëvizja Vetëvendosje, kështu që nga sot unë do të përfaqësoj Lëvizjen Vetëvendosje tha z.Shkreta.
Sipas Kryesuesit të Kuvendit të Komunës z.Qamush Brava vendimi i këshilltarit Mirsad Shkreta është e drejtë e secilit këshilltarë që të vendosë sipas bindjeve të tyre, dhe vazhdoi me sencën sipas rendit të miratuar.
Këshilltarët pa vërejtje miratuan Raportin e punës së Komitetit për Komunitetet për vitin 2013, Raportin e punës së tre Komiteteve Konsultative për vitin 2013, Aktivitete e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2013 si dhe Miratimin e planit të punës të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2014.
Kuvendi i Komunës miratoi edhe emërtimet e rrugëve të vendbanimeve të Komunës së Hanit të Elezit të cilat u miratuan vendosën pas një procesi të debateve publike dhe punës së komisionit komunal .
Shqyrtimi i Projekt Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Administrative u përkrah në parim nga këshilltarët e kuvendit të komunës, me disa rekomandime, dhe e njejta do të përcillet në debat publik me qytetarët, biznesin dhe palët e interesuara.
Ashtu siç edhe pritej, këshilltarët e Komunës së Hanit të Elezit përkrahën fuqishëm propozimin e Kryetarit të Komunës Rufki Suma për përkrahjen e lehonave në Komunën e Hanit të Elezit.
Sipas këtij Vendimi, Miratohet propozimi i kryetarit të komunës së Hanit të Elezit për ndarjen e mjeteve financiare për çdo lindje të lehonave, të cilët janë qytetarë të territorit të komunës së Hanit të Elezit
Sipas nenit I të këtij vendimi çdo lindje e lehonave, qytetare e komunës së Hanit të Elezit do të përkrahet me mjete financiare në vlerë prej 100 €, për çdo lindje.
Zyra për Informim