Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit mbanë mbledhjen dhjetë të rregullt për vitin 2016.
Kuvendi i Komunës për rendë të ditës shqyrtoi:
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar.
2. Miratimi i raportit të shpenzimeve buxhetore për periudhën Korrik – Shtator 2016.
3. Shqyrtimi i raportit të DKA-së mbi suksesin e arritur për fundin e vitit shkollor 2015/2016 në SHFMU dhe SHML.
4. Rishqyrtimi i vendimit me numër 01/Nr.8068/2016 për këmbimin e pronës.
5. Pyetje dhe përgjigje.
Me punën e kuvendit udhëhoqi Kryesuesi i Kuvendit Qamush Brava ndërsa në emër të ekzekutivit ishin prezent nënkryetari i komunës Menduh Vlashi dhe drejtorët e drejtorive përkatëse.
Pas miratimit të procesverbalit dhe miratimit të rendit të punës këshilltarëve të kuvendit të komunës iu prezentua raporti i shpenzimeve buxhetore për periudhën Korrik – Shtator 2016.
Drejtori për buxhet dhe financa Shabi Rexhallari tha se ky raport përmban një analizë përmbledhëse të performancës së të hyrave vetanake dhe ekzekutimin e shpenzimeve për periudhën janar-shtator 2016 në raport me planin buxhetor vjetor si dhe në krahasim me periudhën paraprake janar-shtator 2015.
Si rezultat, gjithsej të hyrat përgjatë këtij nëntëmujori kanë shënuar një rritje prej 17.72% që korrespondon me 30,220.64 € më shumë krahasuar me arkëtimin e të hyrave përgjatë këtij nëntëmujori të parë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë kryesisht nga: të hyrat e tatimit në pronë, të hyrat nga reklamimet publike, taksat për ushtrim te veprimtarisë afariste, taksat komunale për legalizim të objekteve, të hyrat në kadastër, participimet në shëndetësi.
Ndërkaq, gjithsej pagesat kanë shënuar rritje prej 8.67% që korrespondon me 118,110.25 € krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2015, ku kontributin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë shpenzimet kapitale gjë që është pozitive. Megjithatë, në rritje të shpenzimeve kanë ndikuar edhe rritja e shpenzimeve në paga dhe mëditje, ku kjo rritje vjen si rezultat i implementimit të pjesës së njohjes së përvojës së punës në kuadër të kontratës kolektive, si dhe rritjes nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfereve.
Ndërsa Drejtori i DKA-së Irfan Qajani prezentoi raportin mbi suksesin e arritur për fundin e vitit shkollor 2015/2016 në SHFMU dhe SHML.
Kuvendi i komunës anuloi vendimin me numër 01/Nr.8068/2016 për këmbimin e pronës ngase në bazë të Ligjit për këmbim dhe shfrytëzim të pronës 04/L-144 nuk mundë të këmbehet prona në mes ekonomis së ujrave dhe personave privat.
