Hani i Elezit 30.07.2013
Kuvendi i komunës së Hanit të Elezit mbajti mbledhjen e shtatë të rregullt për vitin 2013 me këtë rendë të punës:
- Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar.
- Shqyrtimi i raportit gjashtëmujor të punës së Kryetarit të Komunës.
- Miratimi i raportit gjashtëmujor i shpenzimeve buxhetore.
- Shqyrtimi i draft rregullores për fuqizimin dhe promovimin e vullnetarizmit në komuna.
- Pyetje dhe përgjigje.
Pas prezantimit të rendit të punës nga kryetari i kuvendit, Menduh Vlashi,fjalën e morri këshilltari Qamush Brava i cili e njoftoi kryesuesin se që nga kjo seancë, ai dhe këshilltarja Drita Curri, më nuk janë pjesë e grupit të këshilltarëve të LDK-së, dhe se në aktivitetin e tyre në vazhdim do të prezantohen si grupë e këshilltarëve të pavarur.Këshilltari Qamush Brava shtoi se lidhur me vendimet e mëtutjeshme të këtij grupi të ri të këshilltarëve, kuvendi do të informohet me kohë.
Kuvendi i komunës me pak vërejtje miratoi procesverbalin nga mbledhje e kaluar.
Shqyrtimi i raportit gjashtëmujor të punës së Kryetarit të Komunës nuk ngjalli edhe shumë debat nga këshilltarët. Kjo për arsye të mungesës së kryetarit dhe nënkryetarit të komunës të cilët për arsye të ndryshme munguan në këtë seancë. Megjithatë nga këshilltari Nefail Suma u dhanë vërejtje në raportin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me theks të veçantë në punën e QKMF ‘Menduh Kaloshi”. Sipas tij në këtë qendër nuk ofrohen shërbimet e duhura, janë përkeqësuar raportet ndërnjerzore, ka shumë vërejtje në aftësitë menagjuese duke filluar që nga drejtori i DSHMS-së, Drejtorit të QKMF-së dhe të motrës kryesore të kësaj qendre. Ai kishte vërejtje edhe në punën e zyrës së transparencës duke thanë se kjo zyrë nuk është duke informuar por se është duke bërë propagandë në interes të kryetarit të komunës.
Me vërejtjet e këshilltarit Suma nuk është pajtuar Drejtori i DSHMS-së Safet Bushi i cili këto vlerësime i cilësoi si vlerësime personale, duke shtuar se QKMF-ja është monitoruar dhe vlerësuar nga organet kompetentë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve tjera kompetente dhe se sipas atyre raporteve kjo qendër radhitet ndër qendrat më të mira për kah mirëmbajtja dhe shërbimet e ofruara. Sipas z.Bushi QKMF radhitet si e shtata në rangimin e qendrave të monitoruara në nivel të Kosovës.
Miratimi i raportit gjashtëmujor i shpenzimeve buxhetore te këshilltarët e kuvendit ngjalli debat te këshilltarët sidomos vërejtja e tyre ishte në dinamikën e shpenzimeve të buxhetit.Për këshilltarin Mirsad Shkreta prezantimi i tabelës me projektet të cilat janë realizuar apo janë në realizim e sipër dëshmon për dinamikën shumë të ulët të realizimit të projekteve kapitale.
Edhe përkundër vërejtjeve të cilat u potencuan në raportin e prezantuar, këshilltarët me shumicë të votave miratuan raportin gjashtëmujor të shpenzimeve buxhetore.
Këshilltarët e kuvendit të komunës miratuan draft rregulloren për fuqizimin dhe promovimin e vullnetarizmit në komuna e cila do të përcillet për debat publik.
Materialin e plotë nga seanca e kuvendit të komunës mund ta gjeni në audio-format në Web-faqen e komunës së Hanit të Elezit në rubrikën –Komuna-seancat.
Zyra për Informim