Kryetari i komunës së Hanit të Elezit,Rufki Suma, me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani mori pjesë në aktin e nderimit të atdhetarit të shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, zotit Dardan Sejdiu dekoratën e lartë me motivacionin:
“Përjetësisht, një nga simbolet më të ndritura të historisë politike të kombit shqiptar: rilindas, patriot, politikan elitar me cilësi të larta organizuese dhe frymëzuese. Ky bir i shquar i Kosovës, së bashku me Ismail Qemalin u bënë dy kontribuesit më të shquar të të gjitha trojeve etnike të popullit shqiptar, të cilët me veprimtarinë e tyre politike dhe diplomatike bënë të mundur Shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare më 28 Nëntor 1912”.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Nishani u shpreh: “Jemi mbledhur sot në një ceremoni, ndoshta nga më prekëset në karrierën time, për të nderuar me dekoratën më të lartë që jep Republika e Shqipërisë, një prej bijve më të lavdishëm të kombit shqiptar, Hasan Prishtinën. Një nderim ndoshta i vonuar, për një nga kalorësit më të mëdhenj të historisë politike dhe kombëtare të Shqipërisë të së paku dy shekujve të fundit të saj.
Dashuritë e mëdha nuk vdesin kurrë në kujtesën njerëzore. Një ditë të bukur ato ripërtërihen e shfaqen edhe më të bukura në ndërgjegjen njerëzore. Në fundin e shekullit që shkoi e gjithë bota u bë dëshmitare mediatike e rishfaqjes së një miti në drejtësinë e Çlirimit të Kosovës. Së bashku me luftëtarët e UÇK-së dhe forcat shumëkombëshe të NATO-s, më 12 Qershor 1999, ditën kur ato hynë në mënyrë triumfuese në Prishtinë, unë besoj për një çast, me pasionin e një besimtari, se ka parakaluar dhe një shpirt. Ka qenë shpirti i Hasan Prishtinës, engjëllit të lirisë së Kosovës, i cili atë ditë pranvere fluturonte si ai poleni me të cilin po ngjyrosej pranvera e vetë kombit shqiptar.
Të pranishmit e shumtë nga të gjitha trevat shqiptare të rajonit u përshëndetën edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili mes të tjerash theksoi: “Hasan Prishtina ishte biri besnik i Kosovës kryengritëse ndër shekuj, por ai nuk i përket vetëm Vushtrrisë që e rriti, Prishtinës që e përfaqësonte dhe Kosovës martire, por gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, sepse veprimtaria e tij reflekton interesat e përgjithshme kombëtare dhe jo lokale e parciale. Dekorimi i Hasan Prishtinës nga Presidenti Nishani përbën një akt vlerësimi, mirënjohjeje dhe respekti të thellë për këtë burrë të madh të kombit dhe figurë të shquar historike e simbol të vlerave të larta kombëtare.
Hasan Prishtina tashmë fle i qetë në parajsën e ëndërruar, sepse Shqipëria dhe Kosova janë më të lira se kurrë ndonjëherë dhe bashkë me to edhe ai. Nderim!”
Nga Web-faqja zyrtare e Presidencës së Shqipërisë