Hani i Elezit 25.07.2014
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma zhvilloi sot takim me bashkatdhetarët e Komunës së Hanit të Elezit në kuadër të Ditëve të Diasporës dhe Mërgatës.
Me këtë rast kryetari Suma urojë të gjithë bashkatdhetarët të cilët gjenden për pushimet e tyre në vendlindje duke uruar, çmallje e prehje në këto pushime vere pranë familjeve të tyre.
Ai para bashkatdhetarëve tha se në komunën e Hanit të Elezit çdo ditë e më shumë mundë të vërehen ndryshimet pozitive dhe parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm.
Investimet në institucionet arsimore e shëndetësore, infrastruktura e shërbime publike dhe shumë gjëra tjera kanë shënuar nivele rritjeje, por zhvillimi, punësimi e cilësia e qeverisjes lokale demokratike mbeten prioritet. Në këtë drejtim kryetari Suma tha se komuna e Hanit të Elezit është duke u angazhuar me përkushtimin më të madh që të realizohen objektivat e përbashkëta për një jetë më të mirë për qytetarët e komunës tonë.
Duke përmendur të gjitha projektet e realizuara nga viti i kaluar si dhe projektet e planifikuar për realizim gjatë këtij viti kryetari Suma shfrytëzoi rastin që të falënderojë institucionet qendrore dhe shumë donatorët të cilët përkrahën komunën në shumë investime dhe projekte të realizuara.
Takimi me bashkëatdhetarët është shfrytëzuar edhe për ti njoftuar ata lidhur me procesin e regjistrimit të tyre në kuadër të projektit të Ministrisë së Diasporës në mënyrë që të sigurohen shënime më të plota mbi numrin e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë.
Zyra për Informim