Ferizaj, 27 shtator- Iniciativa për Progres (INPO) të mërkurën ka mbajtur një konferencë regjionale me temë sfidat dhe problemet, zhvillimi ekonomik, përmbushja e kërkesave të qytetarëve dhe bashkëpunimi që kanë mes vete komunat.
Kjo konferencë e cila ishte e para këtij lloji në mes kryetarëve të komunave fqinje, kishte për qëllim që këto komuna të thellojnë bashkëpunimin në mes vete, për problemet duke filluar që nga ujërat e zeza, deponitë e bërllokut, ndërmarrjet publike e deri tek shfrytëzimi i pyjeve dhe hartimit të projekteve të përbashkëta për të konkurruar nëpër fondet e ndryshme zhvillimore.
Ndër projektet e përbashkëta që mund të bëjnë këto komuna është impianti për grumbullimin e ujërave të zeza në komunën e Hanit të Elezit. Po ashtu në konferencë u diskutua edhe për ndërtimin e një deponie mbeturinash, ku do të grumbullohen mbeturinat nga të gjitha komunat e këtij regjioni.
Deri tash të tre kryetarët pohuan se ishte arritur një pajtim parimor për ndërtimin e një impianti të përbashkët në Hanin e Elezit, por u shprehën shqetësime se nuk ka projekte të tilla për lumin Neredime dhe Lepenc, të cilët po ndoten nga shumë anë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kërkoi që një fabrikë të riciklimit të mbeturinave të ndërtohet në këtë komunë, kurse kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, kërkoi ndikimin e kryetarit të Ferizajt që NP “Bifurkacioni” të bëjë ç’është e mundur që të funksionalizohet fabrika e ujit në komunën që drejton ai.
Për kryetarin e Kaçanikut, Besim Ilazi, me rëndësi është të nisë ndërtimi i hidrocentraleve në Lepenc si dhe i pikave të turizmit malor. Aliu nga ana e tij përmendi se ndërtimi i hidrocentralit në Lepenc do të ishte i një rëndësie primare për të gjitha komunat.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, kryetari i Komunës së Ferizajt përmendi lehtësimin e biznesit, heqjen e taksës së veprimtarisë së biznesit. Në këtë konferencë ai u rekomandoi edhe kryetarëve të komunave tjera të ndjekin shembullin e komunës së Ferizajt.
Gjatë kësaj konference u tha se ka shumë hapësirë për bashkëpunim edhe në fushën e shëndetësisë, por sfidë e llojit të vet për të tri komunat mbetet menaxhimi i pyjeve. “Kompetencat mbi pyjet na janë dhënë neve, komunave, atëherë kur janë shkatërruar ato”, pohuan që të tre kryetarët..
Ndërkaq u përmend për të mirë bashkëpunimi në mes të komunës së Kaçanikut dhe Hanit të Elezit në fusha të ndryshme si të zjarrfikësve dhe marrëveshje të ndryshme jo formale. Sipas Avni Bytyçit, drejtor ekzekutiv i INPO-s, do të ishte mirë formimi i trupave të përbashkëta ndërkomunale për hartimin e projekteve dhe pastaj për konkurrimin nëpër organizata fondesh ndërkombëtare.