29.09.2011
Komunat e Studeniçanit nga Repulika e Maqedonisë dhe komuna e Hanit të Elezit nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit
Memorandumi u nënshkrua në Studeniçan ndërmjet kryetarit të komunës nikoqire Fati Iseni dhe kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Sipas këtij Memorandumi, bashkëpunimi do të përfshij përshpejtimin dhe inkurajimin e bashkëpunimit tejkufitar me qëllim të avancimit të cilësisë së jetesës dhe ambientit jetësor në të dy komunat.
Ky bashkëpunimi do të inkurajon zhvillimin e turizmit dhe standardeve ekologjike të BE-së, menaxhim me pasuritë dhe resurset natyrore, bashkëpunim në fushën e arsimit, kulturës dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale, këmbimi i përvojave dhe krijimi i strategjive për zhvillim ekonomik dhe promovim të kapaciteteve të komunave për investime të huaja.
Kryetari i komunës së Studeniçanit, Fati Iseni theksoi se dy komunat janë pajtuar për partneritet në konkurrimin për projektet evropiane të zhvillimit për shfrytëzimin e mjeteve të Instrumentit të ndihmës parahyrëse – IPA të BE-së, në kuadër të bashkëpunimit tejkufitar.
Kryetarët e komunave janë dakorduar për formimin e ekipeve të sektorëve për zhvillim e përbashkët ekonomik dhe projektet tjera që janë parapara me këtë memorandum.
Iseni informoi homologun e tij lidhur me aktivitetet dhe projektetet e komunës, por edhe mbi kompetencat që ka kjo komuna dhe sfidat me të cilat ballafaqohet lidhur me implementimin e procesit të decentralizimit.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma gjithashtu informoi për aktivitetet, synimet dhe prioritetet e komunës.
Ai theksoi se janë krijuar parakushtet për bashkëpunim të ngushtë midis këtyre dy komunave dhe se së shpejti do të ketë konkretizim praktik të bashkëpunimit.
"Ky është takimi i dytë mes nesh dhe jemi në rrugën e mbarë për të thelluar dhe konkretizuar bashkëpunimin midis nesh. Brenda një periudhe të shkurtër do të nisim bashkëpunimin në fusha të caktuara, duke pasur si synim projektet e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të projekteve IPA", theksoi Rufki Suma.
Ky është takimi i dytë i zhvilluar midis kryetarëve të këtyre dy komunave, pas takimit të parë të zhvilluar në Han të Elezit.
Zyra për Informim