Hani i Elezit 21.01.2014
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma priti në takim pune zyrtarët nga projekti (Deutsche Gesellschaft für die Internationale Zussamenarbeit)GIZ, z.Lukas Fischer, Elisabeth Klatzer, Vjollca Krasniqi dhe Njomza Ilazi.
Temë e bashkëbisedimit ishte “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor” përvojat e komunës së Hanit të Elezit dhe mundësia e bashkëpunimit ndërmjet GIZ-it dhe komunës së Hanit të Elezit, që kjo temë të trajtohet si një çështje e rëndësishme në shtytjen e proceseve sociale, ekonomike dhe demokratike.
Buxhetimi gjinor është një koncept relativisht i ri për komunën e Hanit të Elezit, por pavarësisht kësaj është trajtuar në planifikimet buxhetore për vitet 2013 dhe 2014 dhe atë përmes përkrahjes së projetit të LOGOS-it. Është e vërtetë se shumë projekte të cilat janë realizuar dhe që presim të realizojmë kanë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe këtë dimension mirëpo këto projekte nuk janë përshkruar në mënyrën e duhur që të mbulojnë aspektet e barazisë gjinore tha kryetari i komunës Rufki Suma. Megjithatë kemi realizuar projekte të drejtpërdrejta me destinim gjinisë femërore, trajnime, punëtori duke përmendur projektet të realizuar në fshatin Seqishtë përmes CARITAS-it në projektet e gjenerimit të vendeve të punës.
Edhe znj.Bukurie Shkreta-Kempfer nga Grupi jo Formal i Grave tha se janë realizuar disa projekte kryesisht në fushën e sensibilizimit mbi barazinë gjinore, kujdesit shëndetësorë, dhe aktivitete tjera përmes zyrës për barazi gjinore të Komunës së Hanit të Elezit.
Në anën tjetër mysafirët nga GIZ-i thanë se përfshirja gjinore arrihet përmes mbështetjes së qeverisë lokale në vënien në praktikë të Ligjit për Barazi Gjinore, veçanërisht duke përkrahur pjesëmarrjen e grave në strukturat komunale duke përfshirë gratë në trajnime, organizimin dhe angazhimin e grave nëpërmjet mekanizmave konsultative dhe vendimmarrëse duke futur elemente të analizave gjinore në planifikim, dhe buxhetim. Ata ofruan që për planifikimet aktuale, të bëhet analiza e buxhetit dhe mundësinë që të analizohet çdo formë e të hyrave dhe shpenzimeve publike në një këndvështrim gjinor, që do të thotë të identifikohen implikimet e ndryshme, që kanë te vajzat dhe gratë, të hyrat dhe shpenzimet publike, krahasuar me djemtë dhe burrat. Analizat e tilla krijojnë mundësinë jo vetëm të bëhet një ndarje proporcionale e buxhetit, por edhe t’u përshtatet buxheti nevojave dhe të promovohet barazia gjinore.
Zyra për Informim