Hani i Elezit 31.10.2012
Këshilli komunal për siguri në bashkësi (KKSB) mbajti mbledhjen e rregullt për muajin Tetor.
Mbledhjen të cilën e kryesoi nënkryetari i komunës, Muzafer Dernjani, kishte për rend dite çështjen e sigurisë në komunën e Hanit të Elezit gjatë muajit tetor si dhe bashkëpunimin e faktorëve të sigurisë me qytetarët e komunës.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunën e Hanit të Elezit raportuan zyrtarët nga nënstacioni policorë i Hanit të Elezit , njësisë policore të vijës së gjelbërt si dhe nga policia kufitare.
Në raportet e tyre thuhet se gjendja e përgjithshme e sigurisë raportohet e qetë pa ndonjë ngjarje të thyerjes së rëndë të rendit dhe qetësisë publike .Edhe përkundër këtij vlerësimi zyrtarët në fjalë raportuan për raste individuale të cilat nuk mundë të cilësohen si të rënda.
Një ndër kërkesat e përbashkëta të zyrtarëve policorë ishte kërkesa për një bashkëpunim më të mirë me qytetarët për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative siç janë tentimet për kontrabandime të mallrave , kalime ilegale të kufirit si dhe dukuri tjera karakteristike për vendbanimet kufitare.
Në këtë kontekst ,Nazim Haliti nga Forumi për Iniciativë Qytetare (FIQ), tha se policia është duke e zbatuar projektin e policisë në komunitet duke e potencuar faktin se për këtë projekt të Policisë së Kosovës qytetarët duhet të jenë më shumë të informuar në mënyrë që të vendoset një bashkëpunim më të mirë me qytetarët. Forumi për Iniciativë Qytetare do të vazhdoj të përkrahë komunën e Hanit të Elezit duke shtuar se në kontekst të informimit sa më të mirë do të ishte e mirëseardhun edhe një tubim me qytetarët në të cilën do të bashkëbisedohej për çështje të sigurisë në komunitet .
Në takim prezantuan edhe pjestarët e LMT-së në Han të Elezit.
Zyra për Informim