Mund të quhen këmbësorët e 100-vjetorit të Pavarësisë. Nuk janë atletë, por punëtorë fabrike që dashurinë për lirinë duan ta shënjojnë me një sakrificë personale.
Ibrahim Laçi dhe Rexhep Shkreta janë nisur nga Hani i Elezit për të mbërritur në 28 Nëntor në Vlorë.
Kanë mbetur dy, por në fakt janë nisur katër.
“Fillimisht jemi nisur 4 persona, por një nga bashkëudhëtarët është lënduar dhe është në spital, ndërsa tjetri është lënduar dhe do bashkohet me ne më vonë”, shpjegon një nga aventurierët.
Ata janë nisur më 16 nëntor për të arritur më 28 nëntor në vendin ku u ngrit flamuri. 12 ditë udhëtim në këmbë për të nderuar përvjetorin e 100 të Pavarësisë.
Rexhepi dhe Ibrahimi punojnë në një fabrikë, vendi dhe ku lindi ideja për të marrë këtë inisiativë që në fakt nuk është dhe aq personale: “Po të kishte mundësi gjithë Hani i Elezit do të vinte. Vullneti është mbi të gjitha.”
Ata kanë parashikuar që me 40 kilometra në ditë të jenë nesër në Vlorë. E nisin rrugën në orën 6 të mëngjesit dhe e lënë në 9 të mbrëmjes: “Nuk jam flamurtari i grupit sepse herë e mban njëri e herë tjetri, por na vjen keq për shokun tonë që na u lëndua rrugës.”
Telefoni u bie papushim, ndërsa boritë e makinave i përshëndesin gjatë gjithë rrugës, gjë që ua lezeton rrugën që pavarësisht dëshirës së madhe ka dhe vështirësi: “Shkojmë duke biseduar rrugës, na përshëndesin njerëzit dhe ndalen të bëjnë fotografi.”
Të gjithë i mbështesin, por ata që kanë merakun më të madh janë famija, veçanërisht fëmijët: “Fëmijët u shqetësuan në fillim, por tani po mburren.
Rruga u ka shkuar më mirë se parashikimet dhe sigurisht kjo sakrificë për një ditë kaq të shënuar si ajo e 100-vjetorit të Pavarësisë i bën ata krenarë.
Top-Chanel.tv