Në kuadër të projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, përfaqësues të Institutit KLG-is të prirë nga drejtori ekzekutiv Besnik Tahiri, u pritën nga Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma.
Ata me këtë rast e njoftuan kryetarin Suma lidhur me programin si dhe diskutuan për fushat e intervenimit në funksion të rritjes së efikasitetit, cilësisë së shërbimeve dhe performancës së komunave.
Njëkohësisht, përfaqësuesit e Institutit KLGi patën rastin të njihen edhe me zhvillimet aktuale dhe nevojat konkrete të komunave duke i harmonizuar ato në plotni me fushat e intervenimit të programit. Me këtë rast, i dorëzuan kryetarit edhe buletinin “Mujori i Komunave”, që pasqyron ngjarjet dhe aktivitet që ndodhin në dhe përreth Komunave të Kosovës, si produkt i portalit informativ INFOKOMUNA dhe Institutit KLGi.
Përfaqësues të Institutit KLG-is e njoftuan z.Suma për fazën e parë të angazhimit të Institutit KLGi dhe portalit INFOKOMUNA që ndërlidhet me hartimin e një udhëzuesi për standardizim dhe komunikim efektiv me synimin për të ngritur kapacitetet profesionale dhe koordinuese të zyrave për marrëdhënie me publikun, duke u bazuar në praktikat rajonale dhe trendet ndërkombëtare të komunikimit, transparencës dhe llogaridhënies.
Dy palët shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim në kuadrin e angazhimeve dhe përkrahjes së dyanshme drejt fuqizimit të nivelit lokal. Projekti “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale” përpos që shërben si mjet i intervenimit përmes fushave të trajnimit, po ashtu mundëson angazhimin e plotë në teren, më afër komunave dhe qytetarëve.