Hani i Elezit 29.08.2013
“Dita e Dëshmorëve të Hanit të Elezit” është radhitur në kalendarin e shënimeve më të rëndësishme të komunës, si ditë e homazhit në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Puset e Nikës, ku përfaqësues të institucioneve, shoqatave të dala nga lufta, subjekteve politike e shumë qytetarë përkulën dhe vendosin buqetë lulesh, për të nderuar luftën e lavdishme të UÇK-së, për të nderuar sakrificën e Dëshmorëve dhe të Familjeve të tyre .
Manifestimi qendrorë me rastin e “Ditës së Dëshmorëve të Hanit të Elezit” u mbajt para shtëpisë së kulturës ,,Imri Curri“ në Han të Elezit ku ishin tubuar ish ushtarë dhe invalidët e UÇK-së, Familjet e Dëshmorëve, përfaqësues të Shoqatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, simboli i rezistencës kombëtare z.Adem Demaçi, zv.Ministrin e Punëve të Brendshme z.Izmi Zeka, zv.Ministri i MPMS-së z.Berat Luzha, kryetari i shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së z.Xhavit Jashari, Babai i Dëshmorit Nuhi Berisha, Baci Rexhë, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, qytetarë të komunës së Hanit të Elezit e shumë qytetarë tjerë nga viset e ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i komunës Rufki Suma tha se”Jam i nderuar që sot të ju drejtohem juve të pranishëm të ju përshëndes dhe të ju dëshirojë mirëseardhje që me prezencën e juaj nderoni luftën e lavdishme të UÇK-së dhe në veçanti nderoni Familjet e Dëshmorëve.
Komuna e Hanit të Elezit sot shënon Ditën e Dëshmorëve, kujton 29 Gushtin e vitit 1999 kur në Puset e Nikës ishin tubuar mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare për të rivarrosur eshtrat e ushtarëve të vrarë të cilit kishin rënë në fronte të ndryshme të luftës së UÇK-së.
Të nderuar të pranishëm, Dëshmorët kishin një ideal, ata kanë rënë për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, ata kanë luftuar nën flamurin e UÇK-së, flamurin kuq e zi dhe shqiponjën dy krenare, gjaku i tyre na obligon që të përmbushim amanetin e tyre.
Duhet të punojmë e të ecim përpara, por as një herë të mos e harrojmë të kaluarën tonë, të mos e harrojmë atë që ka ndodhur para 14 viteve ngase historia lehtë mundë të na përsëritet.
Pejngameri ynë thotë:Kush nuk i falënderon njerëzit, atë nuk e falënderon as zoti.
Nëse nuk do të jemi mirënjohës ndaj gjakut të derdhur për këtë vend, as nga ana e zotit nuk do të meritojmë të mira. Zoti nuk do të ndryshojë gjendjen e një populli, përderisa ata nuk e ndryshojnë gjendjen e vet.
Pushtuesit dhe armiqtë tanë gjatë gjithë historisë krahas pushtimit në programet e tyre kishin edhe copëtimin e këtij populli brenda vetes, përçarjen brenda Shqiptarëve.
Vendi ynë si kurrë më parë ka nevojë për forca të bashkuara, për zhvillim më të hovshëm, duke kujtuar ata që ranë për një ditë më të lirë,Dëshmorët e Kombit”,tha kryetari Suma .
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, Familjarë të Heronjve, ushtarë e ish ushtarë të atdheut e të kombit ju përshëndes të gjithëve, tha Simboli i Rezistencës Kombëtarë z.Adem Demaçi në fjalën e tij përshëndetëse. Po bëjnë mirë komunat tona që po caktojnë Ditët e Dëshmorëve sepse edhe në ditët e sotme po mundohen të na manipulojnë, që të harrojmë të kaluarën tonë, luftërat dhe gjakun që kemi derdhur për lirinë tonë. Ne nuk duhet të harrojmë se falë gjakut të dëshmorëve tanë mundë të mblidhemi, mundë të flasim lirisht mundë të themi mendimin tonë dhe të punojmë për të mirën tonë. Gjaku që është derdhur qe një qind e sa vjet, kryengritja jonë e fundit, nuk ishte lufta e jonë e parë, ishte lufta e jonë e fundit e luftërave të panumërta të cilat i ka zhvilluar kombi i ynë që nga koha e pushtimeve romake dy mijë vjeçare e deri sot.Luftuam me armiq që ishin shumëfish më të fortë se ne dhe në fund megjithatë u pagua dhe u shpagua gjaku i ynë, këmbëngulja e jonë, vullneti ynë, dëshira e jonë për lirinë dhe pavarësinë tonë tha ndër të tjera z.Demaçi.
Ndërsa Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së z.Xhavit Jashari tha se sot jemi bashkë për të kujtuar gjithë sakrificën e popullit shqiptarë gjithë ata që kanë kontribuar për të arritur deri te liria,dëshmorët dhe heronjtë e kombit.
Kemi detyrë dhe obligim që të ruajmë shenjat e kujtesës që kanë krijuar luftërat dhe përpjekjet për të arritur deri te liria, atyre të cilët falë sakrificës dhe gjakut të tyre nuk do të ishim sot këtu bashkë. Lufta e UÇK-së është vlera më e ngritur e kombit sepse kjo luftë ka hapur procesin e madh të bashkimit kombëtarë. Duhet të ju bëjmë me dije edhe faktorit ndërkombëtarë se luftën e kemi zhvilluar e kemi fituar dhe nuk kanë nevojë që të vijnë në emër të drejtësisë të instalohen në Kosovë e të bëjnë padrejtësi ndaj atyre që kanë luftuar dhe sakrifikuar që ne të jetojmë të lirë.
Ne kemi luftuar për të drejtën tonë, ne duhet të jetojmë me të drejtën tonë historike, si një komb i bashkuar tha z.Jashari.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmëve iu drejtua Severxhane Vila, vajza e dëshmorit Imer Vila e cila tha se ne fëmijët e baballarëve tanë Dëshmorë, jemi krenarë që ata dhanë jetën për çlirimin e Kosovës sonë të shenjët, i dhamë prindërit tanë. Jemi krenarë që patëm prindër dhe vëllezër të tillë.
Pas fjalimeve të rastit, Shoqëria Kulturo-Artistike “ Sharri” nga Hani i Elezit për të pranishmit prezantoi një program muzikor me këngë dhe valle nga repertuari i tyre.
Zyra për informim