Me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pirje dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit për pirje, zyrtarë nga Kompania “Sharrcem Titan Grup”, Qendra Rajonale e Mjedisit dhe Komuna e Hanit të Elezit me një aktivitet rasti shënuan 22 Marsin Ditën Botërore të Ujit.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin studentë nga universitete publike dhe private anëtarë të grupit punues për ndryshimet klimatike si dhe nxënës të shkollës së mesme “Dardania” nga Hani i Elezit
Në hapje të këtij aktivitetit nënkryetari i komunës Menduh Vlashi tha se ky aktivitet ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e ujit dhe për të shtuar përpjekjet maksimale për t’iu siguruar njerëzve sasi të mjaftueshme dhe kualitative të ujit. Mirëpo tha z.Vlashi këtij sensibilizimi duhet ti bashkohemi me aktivitete konkrete në mbrojtjen e burimeve të ujit nga ndotjet të cilët janë të ndikuara kryesisht nga faktori njeri. Ai me këtë rast përmendi edhe zhvillimin industrial që drejtpërdrejt ndikon në ndotjen e ambientit dhe rrjedhimisht edhe të burimeve të ujit.
Halil Berisha, menaxher i mjedisit nga Kompania “Sharrcem Titan Grup” tha se zhvillimi industrial dhe urbanizmi modern kanë rezultuar me formimin e zonave të mëdha urbane, zona industrial dhe bujqësi intensive. Kjo ka shtuar nevojën për ujë por njëkohësisht edhe rritjen e shkarkimeve urbane e industriale në lumenj pa ndonjë trajtim paraprak. Ai tha se resurset e ujit kanë rëndësi shumë të madhe për jetën ekonomike të njeriut dhe mungesa e ujit konsiderohet si faktorë kufizues i zhvillimit socialo-ekonomik i një vendi.
Menaxher i mjedisit nga Kompania “Sharrcem Titan Grup”para pjesëmarrësve prezentoi edhe të gjeturat me gjendjen e ujërave në komunën e Hanit të Elezit. Ai tha se teritori i komunës së Hanit të Elezit përfaqëson një zonë me rezerva të pakta me ujra nëntokësore.Për më tepër tha z.Berisha në puset e hapura vërehet prezenca e derivatit të naftës e cila është pasojë e rrjedhjeve nga rezervuaret e naftës nga zona ushtarake e cila ka ekzistuar për shumë vite dhe ka shkaktuar ndotje të ujrave në një periudhë afatgjate.
Menaxheri Berisha prezentoi përpjekjet e Kompanisë “Sharrcem Titan Grup” për trajtimin e ujrave të zeza e cila është në fazën përfundimtare dhe paraqet trajtimin sipas standardeve të fundit për trajtimin e ujrave.
Ndërsa Agron Bektashi Drejtorë i Qendrës Rajonale të Mjedisit tha se Misioni i Qendrës Rajonale të Mjedisit është që të ndihmoj në zgjedhjen e problemeve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore, më nxitjen e bashkëpunimit në mes organizatave jo-qeveritare, qeverive, bizneseve dhe personave tjerë kyq mjedisor, duke përkrahur shkëmbimin e lirë të informatave, me promovimin e pjesëmarrjes së publikut në vendim-marrjen për mjedis. Vizioni ynë është Kosova me standarde të larta mjedisore, me pjesëmarrje aktive të publikut në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm tha z. Bektashi.
Pjesëmarrësit në këtë ngjarje u njoftuan edhe me publikimin e Paketës së Gjelbër nga Naim Arifaj zyrtarë në Qendrën Rajonale të Mjedisit.
Takimi në shënim të 22 Marsit Ditës Botërore të Ujit është përmbyllur me një vizitë të përbashkët në impiantin e furnizimit të ujit për Hanin e Elezit në fshatin Dimcë.