Hani i Elezit 06.03.2014
Manifestimit treditor “Epopeja e UÇK-së”, me rastin e 16-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij iu bashkuan edhe institucionet e komunës së Hanit të Elezit.
Kryetari i Komunës Rufki Suma i shoqëruar nga ish ushtarë të UÇK-së, së pari vizitoi Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Puset e Nikës, për të bërë homazhë Dëshmorëve të Komunës së Hanit të Elezit.
Delegacioni nga komuna e Hanit të Elezit gjatë ditës qëndroi edhe në Prekazin Legjendarë për të nderuar ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit si një ngjarje e madhe për popullin shqiptar, pasi pikërisht nga Prekazi Legjendar krisën pushkët e para të lirisë.
Në Kompleksin Memorial, delegacioni nga komuna e Hanit të Elezit vendosën buqetë lulesh në Varrezat e Dëshmorëve pas së cilës u pritën edhe në Kullën e Jasharëve nga z.Murat Jashari.
Për Kryetarin Rufki Suma, sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe 56 anëtarëve të familjes së tij, të vrarë nga forcat kriminale serbe, është ngjarja më e rëndësishme e cila i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për lirinë.
Këto ditë të shënuara janë ditë për të rikujtuar lavdinë dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi.
Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të Komunës së Hanit të Elezit në Puset e Nikës me rastin e manifestimit treditor “Epopeja e UÇK-së”, dhe 16-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, e vizituan edhe pjestarët e FSK-së, të udhëhequr nga Kapiten Afrim Shala.
Zyra për Informim



