Në kuadër të shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën patronatin e Komunës së Hanit të Elezit, janë organizuar një varg aktivitetesh solemne në shënim të kësaj dite me rëndësi historike për popullin e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve publike së pari nderuan dëshmorët e kombit, me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Pustenik.
Manifestim qendrorë është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Imri Curri” në Han të Elezit.
Të pranishmëve iu drejtua nënkryetari i komunës z.Menduh Vlashi i cili tha se data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor.
Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta, një lufte për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari
Këta përvjetorë pashmangshëm na kujtojnë të gjitha sakrificat shumëvjeçare të popullit të Kosovës dhe dëshmorëve të kombit në rrugën drejtë lirisë, pavarësisë dhe demokracisë dhe me besimin se vlerat demokratike të shtetit tonë të ri janë duke u avancuar çdo vit e më shumë.
Në përvjetorin e tetë të shpalljes së pavarësisë të mendojmë edhe për gjendjen e tanishme sociale, ekonomike dhe politike të Kosovës.
Si as njëhere që nga çlirimi i Kosovës po përballemi me sfidat të rënda.
Sot po përballemi me shumë paknaqësi, protestojnë qytetarët, nënat e kosovës, ushtarërt e UÇK-së, protestojnë arsimtarët, mjekët nxënësit dhe studentët.
Tani pas tetë vitesh, shpresat e një pjese të madhe të kosovarëve duket se janë shuar, pasi që besohet se me dhjetra mijë shtetas të Kosovës e kanë braktisur vendin duke migruar në drejtim të vendeve evropiane, si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik dhe mungesës së perspektivës për një jetë të dinjitetshme në këtë shtet.
E përbashkët për të gjitha këto është gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale në vend dhe ajo çka është më e rëndë: zhgënjimi i thellë dhe humbja e shpresave se do ndryshoj diçka për të mirë.
Duke uruar qytetarët e Republikës Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e Pavarësisë, nënkryetari Vlashi tha se duhet të mendojmë për punët që na presin e që nuk janë pak.Shtetit tonë i duhet bashkimi i qytetarëve për ta bërë ndryshimin e nevojshëm.
Të besojmë dhe të shpresojmë për ditë më të mira tha nenkryetari i komunës Menduh Vlashi.
Manifestimi i shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës është përmbyllur me një program muzikorë ku me pika të përzgjedhura të valleve dhe këngëve është prezantuar SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit.

