Banorët e Komunës së Hanit të Elezit, thonë se turpin për neglizhencën e mos funksionimit ende të qarkullimit me letërnjoftime, duhet ta mbajë qeveria e Kosovës dhe pushtetarët shqip…tarë në Maqedoni. Sipas tyre, heshtja dhe apatia e autoriteteve po dëmton interesat e qytetarëve në të dy krahët e kufirit. Të anketuar nga Alsat, banorët theksojnë se lëvizja e lirë mes Maqedonisë dhe Kosovës është domosdoshmëri, mbi të gjithë për shkak të lidhjeve fisnore.
“Ne këtë po e kërkojmë por nuk po bëhet. Sepse do të na e lehtësonte shumë. Në Serbi shkojmë me letër njoftim pa kurrfarë problemi. Ndërkohë ja ku e kemi Maqedoninë duhet me kalu me pasaporta, kjo është turp. Turp është edhe për udhëheqësit tanë që i kemi në Maqedoni edhe te na. Kam pompën e benzinës në Shkup, djali më punon atje dhe për çdo dit me pasaportë, turp”.
“Do e kishte lehtësuar lëvizjen për 500 %. Gjë normale, zonë kufitare, ne gjithë tokat i kemi andej. Shtëpitë na kanë ngelur andej kufirit. Nxënësit e fshatit Bardh dalin këndej, ju kërkojnë pasaporta, iu kontrollojnë çantat. Do të kishte qenë mirë me u bë me letërnjoftime, sepse 99 për qind farefisin e kemi në Maqedoni”.
“Ajo ishte kanë shumë mirë me u ba sepse edhe njerëzit këtë po e kërkojnë, po kërkojnë qarkullim me letërnjoftime. Pse mos të bëhet, ne, këto banorët e këtij vendi me kalue me letërnjoftime është më mirë”.
“Unë për momentin jam në Belgjik dhe atje është shumë e lehtë kjo çështje. Unë kur shkoj nga Belgjika në Gjermani nuk më ndalon askush, e këtu po duhet me kalue me pasaporta. Çka është kjo”.
Ndërkohë edhe Kreu i Hanit të Elezit, Rufki Suma ka realizuar takime me ministrin e brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi për përshpejtimin e kësaj çështje.
“Unë kam pas kontakte me ministrin e punëve të brendshme Bajram Rexhepi në Kosovë. Kemi bisedua për qarkullimin e lirë. Ai më ka njoftua se ka pas takime edhe me ministrin e punëve të brendshme të Maqedonisë dhe janë dakord që në momentin kur Kosova do t’i nxjerr letërnjoftimet biometrike do të rregullohet kjo çështje. Mirëpo tani për tani sipas fjalëve të ministrit dhe MPB-së së Kosovës ende nuk kemi mund me realizua këtë marrëveshje sepse Kosova është ne periudhë paszgjedhore, dhe ende nuk kemi një qeveri të re por është qeveria në largim dhe nuk mund të marrin ndonjë vendim”, deklaroi Rufki Suma, kryetar i komunës së Hanit Elezit për Televizionin Alsat-M.
Ditë më parë ministrja e brendshme Gordana Jankullovska u shpreh se ekziston vullnet për ratifikimin e marrëveshjes për qarkullim me letërnjoftime, por pala kosovare përveç faktit që nuk ka formuar qeverinë e re, ka ende kushte për të përmbushur.