Filluam sot shënimin e Muajit Rozë, apo muajit për ndërgjegjësimin mbi rrezikun e kancerit të gjirit me moton “LUFTO ME GUXIM”
Në shenjë simbolike, realizuam marshin me pjesëmarrje nga kategori të ndryshme nëpër rrugët e qytetit, ashtu që ky marsh të ngrisë nevojën për informata rreth këtij kanceri, parandalimit, zbulimit të hershëm, si dhe trajtimet.
Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, në marsh morën pjesë edhe nga punëtorët komunalë, punëtorët shëndetësorë, pjesë nga stafi arsimor, nga Bashkësia Islame, si dhe me staf nga laboratori AVICENA KS.
Mbështetja e laboratorit Avicena KS është një iniciativë shumë e rëndësishme dhe e nevojshme, duke ofruar analiza falas për të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit gjatë këtij muaji, e që është një kontribut i madh për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe ndërgjegjësimin për këtë sëmundje.
Për më tepër, do të kemi edhe një radiolog për ultrazë të gjirit një herë në javë, e cila gjithashtu është një ndihmë e madhe për diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm.
Dy ditë radhazi me 14 dhe 15 tetor do të kemi edhe mamografin mobile, e cila na është aprovuar si kërkesë e jona drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Të gjitha këto do të jenë pjesë e aktiviteteve të Muajit Rozë, por që luftën ndaj kancerit të gjirit do ta kemi të përditshme.
Kontrolli i hershëm është parandalim!