Hani i Elezit 12.04.2014
Me iniciativën e të rinjve të komunës së Hanit të Elezit sot filloi Liga Komunale në futboll të vogël.
Në Ligën Komunale do të garojnë 16 ekipe futbollistike të cilat do të garojnë në dy grupe me nga 8 ekipe dhe me sistem të pikëve. Dy ekipet nga dy grupet të cilat do të arrijnë rezultate më të mira do të takohen në finalen e ligës. Garat në ligën komunale do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën dhe do të mbikëqyren nga komisioni 6-anëtarësh i kësaj gare.
Sipas kritereve të aplikimit në këtë garë ekipet pjesëmarrëse do të përfaqësojnë Lagjet, Vendbanimet dhe fshatrat e komunës së Hanit të Elezit.
Ky aktivitet sportiv është përkrahur nga Komuna e Hanit të Elezit, Kompania “Sharrcem” dhe OJQ “SFIDA” Fondacioni për zhvillim dhe arsim.
Në hapjen e këtij aktiviteti sportiv ishte edhe kryetari i komunës Rufki Suma. Ai duke uruar të rinjtë për këtë iniciativë tha se komuna e Hanit të Elezit do të përkrah të gjitha aktivitete të cilat për qëllim do të kenë aktivitete sportive e kulturore që afirmojnë potencialin e të rinjve të Hanit të Elezit. Ai shtoi se liga komunale në futboll të vogël në Han të Elezit ka historikun e saj që nga koha e okupimit nga regjimi serb.
Në atë kohë, liga ka pasë karakterin e një forme të rezistencës kundër okupimit. Përkundër asaj që shpesh herë policia serbe pengonte zhvillimin e garës duke na shpërndarë, marrë rrjetat e topat, ne gjenim formë për të vazhduar garën për të demonstruar padëgjueshërinë kundrejt pushtimit serb.
Sot të rinjtë kanë të gjitha kushtet për të arritur rezultate të mira në shumë fusha dhe në këtë drejtim nuk do të mungojë përkrahja e komunës së Hanit të Elezit tha z.Suma.
Ndërsa Nusret Shiti në emër të komisionit organizativ të garës tha se qëllimi i Ligës komunale në futboll të vogël është që të rinjve të ju ofrojmë një mundësi shoqërimi dhe hapësirë argëtimi dhe garimi. Synimi ynë është që ky aktivitet sportiv për dy muajt në vazhdim të jetë vendtakim për rinin e komunës së Hanit të Elezit. Ai me këtë rast falënderoi komunën e Hanit të Elezit dhe kompaninë Sharrcem që ndihmuan në organizimin e Ligës dhe uroi të gjitha ekipet garuese për suksese në garë.
Ndeshja ndërmjet ekipeve Shkëndija –Bregu ishte ndeshje e parë e ligës komunale.
Zyra për Informim