Vargut të sukseseve në ndërtimin e infrastrukturës rrugore të komunës së Hanit të Elezit nga sot i shtohet realizimi i projektit kryesor, atë të rregullimit dhe asfaltimit të rrugës Lagje e Re- Pustenik.
Ky projekt po realizohet falë “Marrëveshjes së Mirëkuptimit“ ndërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Infrastrukturës dhe Komunës së Hanit të Elezit, me anë të së cilës janë pajtuar që të bashkëfinancojnë projektin ,,Asfaltimi i rrugës Lagja e Re- Pustenik”.
Vlera financiare e këtij projekti kapital është 492.994.60 € ndërsa ishte projektuar që të realizohet për dy vite.
Në vitin 2012 për realizimin e këtij projekti janë shpenzuar 290.000.oo €, prej të cilave 60.000.oo € nga MI-ja,120.000.00 € nga MAPL-ja dhe 110.000.oo € nga buxheti i Komunës së Hanit të Elezit, ndërsa për pjesën e mbetur për pagesë në vlerë prej 202.994.60 € për vitin 2013 është zotuar MI-ja.
Rëndësia e kësaj rruge është shumë dimenzionale, duke filluar nga aspekti i kompletimit të infrastrukturës rrugore në komunën e Hanit të Elezit, hapjen e perspektivës për një zhvillim të kësaj pjese të komunës sonë në fusha të ndryshme të zhvillimeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë si dhe perspektiva e zhvillimit të turizmit, atij kulturorë dhe historik duke pasur parasysh Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Pustenik .
Për të përcjellur fillimin e realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për komunën e Hanit të Elezit ishte prezent edhe nënkryetari Muzafer Dernjani i cili përcolli urimin në emër të komunës së Hanit të Elezit për banorët e Lagjeve Bravë, Ballazhë e Dacë të cilët do të përfitojnë më së shumti nga asfaltimi i kësaj rruge.
Zyra për Informim