Hani i Elezit 23.02.2011
Përfaqësuesja e Mundjes e Republikës së Kosovës e cila ditë më parë është pranuar me të drejta të plota në Federatën e Mundjes Ndërkombëtare ,morri pjesë në turneun ndërkombëtarë ,,Dr Hubert Flatzz” në Volfurt të Austrisë duke zënë vendin e tretë në kategorinë e juniorëve.
Sigurisht se këtij lajmi të mirë i janë gëzuar të gjithë sportdashësit e Kosovës ,por qytetarët e Hanit të Elezit kishin edhe një arsye më shumë ,ngase djaloshi nga Hani i Elezit, Kenan Daci ishte njëri nga ata që i kontribuan këtij suksesi,duke u stolisur me medaljen e Artë në kategorinë deri në 69 kg në konkurrence të përfaqësuesve nga 20 shtete të Evropës.
Përkundër angazhimeve të shumta ditore Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma sot gjeti kohë dhe me shumë kënaqësi priti këtë sportistë të dalluar së bashku me Kryesin e Klubit të Mundjes ,,Sharr” anëtarë i të cilit është ky sportistë.
Me një modesti të theksuar, Djaloshi i Artë, Kenan Daci me pakë fjalë përshkroi rrugën deri te ky sukses i jashtëzakonshëm ,duke lënë përshtypje se më shumë i gëzohej takimit me Kryetarin e Komunës se sa suksesin e arritur.
Suksesi i këtij djaloshi dëshmon më së miri se treva jonë ka shumë talent që mundë të arrijnë edhe suksese kulminante ,vetëm se duhet përkrahje e shoqërisë ,theksoi me këtë rast z.Suma duke u shprehur se Komuna e Hanit të Elezit do të bëjë çmos që të ju ndihmoj të gjithë atyre që do të afirmojnë veten dhe trevën tonë me suksese.
Ndërsa Djaloshi i Artë kishte ëndrrat e tij ,që të marrë pjesë edhe në kampionatin botërorë por ndoshta të jetë edhe njëri nga ata që do të plotësoj edhe normën për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Duke shfrytëzuar këtë takim Sadat Curri Kryetarë i Klubit të Mundjes ,,Sharri” falënderoi kryetarin e komunës për përkrahjen dhënë këtij klubi.
Zyra për Informim