Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ”Dr.Menduh Kaloshi”në Han të Elezit nga sot do të jetë më e kompletuar me pajisje dhe aparaturë më moderne dhe më se të nevojshme për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore të qytetarëve të komunës së Hanit të Elezit dhe më gjërë.
Kjo falë implementimi të “Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Caritas Luxembourg dhe Komunës së Hanit të Elezit, në kuadër të strategjisë “ Zbutja e Varfërisë nëpërmjet Zhvillimit të Qëndrueshëm” financuar nga Qeveria e Luksemburgut, dhe si rezultat i bashkëpunimit me komunën e Hanit të Elezit në sektorin e shëndetësisë.
Në kuadër të sektorit të Shëndetësisë, falë implementimi të kësaj “Marrëveshjes së Mirëkuptimit” gjatë këtyre viteve është investuar në aparaturë dhe pajisje shëndetësore për QKMF”Menduh Kaloshi” dhe kjo qendër sot konsiderohet si një ndër qendrat më të pajisura në nivel të QKMF-ve dhe e gatshme për të ofruar të gjitha shërbimet e nivelit të shëndetësisë primare. Në takimin e rastit ndërmjet kryetarit të komunës Rufki Suma dhe zyrtareve nga Projekti i Caritas-it edhe një herë u potencuan rezultatet e shkëlqyeshme të bashkëpunimit ndërmjet Caritas-it dhe komunës së Hanit të Elezit në të gjitha fushat në kuadër të Marrëveshjes së Mirëkuptimit e sidomos në sektorin e shëndetësisë.
Në aktin e pranim-dorëzimit të këtij donacioni ishin Drejtori i DSHMS-së Muzafer Dernjani dhe Drejtori i QKMF-së Dr.Shemsi Bushi të cilët falënderuan zyrtaret nga Caritas-i për tërë kontributin dhënë zhvillimit dhe ngritjes të sektorit të shëndetësisë në komunën e Hanit të Elezit. Ata thanë se të gjitha këto pajisje dhe aparatura tejet moderne, do të jenë të mirseardhura për të kompletuar aneksin e Qendrës Emergjente e cila ndërtimi i së cilës pritet të përfundojë së shpejti.
Vlera e përgjithshme e këtyre pajisjeve për QKMF "Dr.Menduh Kaloshi" në Han të Elezit është 25.790 €.
Zyra për Informim