Sot shënojmë me krenari dhe respekt të thellë 27-vjetorin e Çlirimit të Hanit të Elezit nga okupatori serb, një ditë e veçantë që kujton fundin e një periudhe të rëndë dhe fillimin e një epoke të re lirie, shprese dhe zhvillimi për qytetarët tanë.
Në këtë ditë të shenjtë për komunën tonë, së bashku me Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, institucione dhe qytetarë, bëmë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Puset e Nikës.
Me përulësi kujtuam bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen tonë. Sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin ndërtojmë çdo sukses dhe çdo hap përpara si komunë dhe si shtet.
Dita e Çlirimit është një kujtesë se liria nuk ishte dhuratë, por rezultat i një sakrifice të madhe të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre që kontribuuan për Kosovën e lirë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Nderim për familjet e tyre dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën e lirisë sonë