Prilli është muaji i shumë datave të rëndësishme të vitit 1999, sado të dhimbshme, aq edhe krenare, ku me 9 prill shënohet Beteja e Rakocit, ku në qafën e Drenushës bie dëshmor Imer Vila, e më pas në Betejën e Koshares me 16 prill, bie dëshmori Imri Curri, të cilët janë përjetësuar si heronjë në historinë e Kosovës, të cilët dhanë më të shtrenjtën jetë për liri.
E në prill, gjithashtu ndodhi edhe Holokausti shqiptar, ku mbi 440 mijë shqiptar nga e gjithë Kosova u detyruan dhunshëm të largoheshin nga trojet e tyre, duke lënë gjithçka pas vetes, e duke mos e ditur se ç’fat i pret gjatë rrugës me trenin që i solli në Bllacë.
Në nderim të kësaj dite, Komuna e Hanit të Elezit si nikoqir, në bashkëpunim me Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve në Trojet e Veta, si dhe me mbështetje të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, sot u realizua përkujtimi i 26 vjetorit të “Bllacës 99”, i cili është simbol i tragjedisë, por njëkohësisht është shenjë e qëndrueshmërisë shqiptare.
Në kuadër të këtij organizmi, u bë promovimi i librit “Bllaca 99” në gjuhën frënge, poashtu edhe ora poetike, ku poetët nga troje të ndryshme paraqitën krijimtaritë e tyre të reja. Për pjesën kulturo-artistike u përkujdesën më së miri Teatri “Kaqurrelat” nga Skënderaj dhe SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit.
Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që ia shtuan vlerën edhe më shumë përkujtimit të kësaj date.
Nderimi iu takon të rënëve për liri, respekti çlirimtarëve!