Gjilan, 5 maj 2010 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur projektin për ndërtim kapacitetesh ”Ngritja e Llogaridhënies në ish Pilot-Njësitë Komunale të Hanit të Elezit, Junikut dhe Mamushës”.
I pari në vargun e tre punëtorive të parapara sipas projektit është përqëdruar në çështjet që kanë të bëjnë me transparencën duke vënë në pah praktikat e mira të komunës nikoqire – Hani i Elezit – e cila ka shënuar arritje në lehtësimin e çasjes tek informacioni përmes mediave elektronike dhe vizitave në terren. Gjithashtu, në përpjekje për të siguruar informacion të rregullt për qytetarët, komuna e Hanit të Elezit monitoron vizitat në webfaqen zyrtare dhe në Bibliotekën Ligjore Komunale për tu siguruar se cilësia e shërbimeve të ofruara plotëson kërkesat e qytetarëve.
Misioni i OSBE-së në Kosovë sponsorizon tre punëtori për ndërtim kapacitetesh për komunat e reja për të adresuar boshllëqet në lëmitë e transparencës, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe zhvillimit ekonomik. Këto boshllëqe ishin identifikuar në raportin “Nga Pilot-Njësitë Komunale tek Komunat me Përgjegjësi të Plota: Pasqyrë Njëvjeqare” të publikuar nga Misioni i OSBE-së më 19 mars. Ky raport mbështetet në hulumtimet në terren dhe analizat e stafit të OSBE-së mbi efektivitetin e ish pilot-njësive komunale dhe shndërrimin e tyre në komuna me përgjegjësi të plota – nga gushti 2008 deri në gusht 2009. Përmes këtij projekti pritet që komunat të rrisin aftësitë në ndërtimin e kapaciteteve dhe intensifikimin e bashkëpunimeve ndërkomunale.
Ish pilot-njësitë komunale të Hanit të Elezit, Junikut dhe Mamushës janë formuar në korrik të vitit 2005 në përputhje me Regulloren e UNMIK-ut 2000/45, kurse statusi i komunave me përgjegjësi të plota u është njohur në gusht të vitit 2008.
Misioni i OSBE-së në Kosovë inkurajon zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë në të gjitha komunat e Kosovës në linjë me Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale.
Hani i Elezit nikoqir i punëtorisë së OSBE-së për ndërtim kapacitetesh