Komuna e Hanit të Elezit po vazhdon mbështetjen konkrete për sektorin e bujqësisë përmes subvencionimit të fermerëve me mekanizma bujqësorë.
Sot u realizua shpërndarja e mekanizmave bujqësorë për 28 fermerë përfitues, të cilët kanë aplikuar në thirrjen komunale për mbështetje në bujqësi. Kjo mbështetje ka për qëllim rritjen e efikasitetit në punët bujqësore, uljen e kostove të prodhimit dhe fuqizimin e fermerëve lokalë.
Fermerët janë pajisur me këto mekanizma bujqësorë: plug 2-rendësh, trina 3-krahëshe, frezë 1.6 m, roto-kosë 135 si dhe shpërndarëse të plehut artificial me kapacitet 300–400 litra. Këto pajisje do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së punimit të tokës dhe rritjen e prodhimtarisë bujqësore.
Komuna e Hanit të Elezit mbetet e përkushtuar që, edhe në të ardhmen, të vazhdojë me politika mbështetëse për fermerët, duke investuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe ekonomisë lokale.