U realizua me sukses të jashtëzakonshëm Edicioni i Katërt i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Hani i Elezit 2026”, duke sjellë para publikut vlerat më të mira të folklorit shqiptar dhe duke promovuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore.
Nata finale e festivalit ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi u përkoi festimeve të Ditës së Çlirimit të Hanit të Elezit. Për nder të kësaj date të shënuar, festivali tradicionalisht kurorëzohet më 11 qershor, duke i dhënë kësaj mbrëmjeje një domethënie të veçantë kulturore dhe historike.
Mbrëmja e sotme u karakterizua nga një larmi e pasur veshjesh tradicionale, këngësh, vallesh dhe instrumentesh burimore, të sjella me përkushtim nga shtatë ansamble dhe shoqëri kulturo-artistike pjesëmarrëse:
SHKA “Malesori” – Gjonaj
AKV “Lushnja” – Lushnjë
AKV “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
SHKA “Jahi Hasani” – Çegran
SHKA “Burreli” – Mat, Shqipëri
AKV “Deçani” – Deçan
SHKA “Zëri i Kamenicës” – Kamenicë
Pas paraqitjeve garuese, publiku pati kënaqësinë të shijojë një performancë të veçantë muzikore nga këngëtarja e mirënjohur
Nazmie Prokshi
, e cila me interpretimin e saj e pasuroi edhe më tej atmosferën festive të kësaj nate madhështore.
Kjo mbrëmje shënoi përmbylljen e një tjetër edicioni të suksesshëm të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Hani i Elezit 2026”, duke dëshmuar edhe një herë se folklori shqiptar mbetet një urë e fuqishme që lidh brezat dhe trevat shqiptare, duke ruajtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar.