Sot, më datë 13.06.2024 u mbajtën dy dëgjimet e para buxhetore lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin buxhetor 2025 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2026 dhe 2027.
Nga ora 11:00, dëgjimi buxhetor u zhvillua me grupe të ndryshme të interesit, siç janë: Stafi i Sektorit të Arsimit, Sektorit të Shëndetësisë, Qendra për punë Sociale, Zjarrëfikësat, OJQ të ndryshme, Administratorët e Këshillave Lokale, fermerët si dhe shume grupe të tjera të interesit. Takimi u mbajt në Sallën e Konferencave në Qendrën Kulturore “Imri Curri”.
Nga ora 13:30, Debati Publik u zhvillua në Sh.F.M.U. “Kështjella e Diturisë”-Paldenicë me banorët e këtij fshati dhe ishte i hapur edhe për grupe tjera të interesit.
Në këto dëgjime buxhetore Drejtoria për Buxhet dhe Financa prezantoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, me kufijtë fillestar buxhetor për të katërt burimet e financimit të buxhetit komunal si dhe shpalosja e projekteve kapitale të planifikuara.
Këto dëgjime buxhetore janë shumë të rëndësishme, pasiqë në këto takime, banorët e Hanit të Elezit me rrethinë kishin mundësinë që përveçse të dëgjonin planifikimin buxhetor, poashtu kishin mundësinë edhe të japin propozimet dhe kërkesat e tyre të cilat atyre iu duken të arsyeshme dhe me leverdi për komunitetin tonë.
Komuna Hani i Elezit ka krijuar një standard sa i përket projekteve kapitale. Me qytetarët bashkë i zgjedhim, bashkë i mbikqyrim dhe bashkë i gëzojmë.
*Informacion shtesë
Për të dy dëgjimet buxhetore të zhvilluara sot është mbajtur procesverbal dhe të gjithë kërkesat, propozimet e dhëna nga ana e qytetarëve, do të përcillen si material shtesë në Seancën e këtij muaji të Kuvendit Komunal, për votim nga Asambleja Komunale. Më tej, do të hartohet një raport rreth statusit të këtyre kërkesave/propozimeve dhe do të publikohet në ueb faqe të Komunës.
Komuna e Hanit të Elezit falënderon përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në dëgjimet e sotme buxhetore.