Shkolla e mesme “Dardania” nga Hani i Elezit sot ishte nikoqire e promovimit të projektit “Amerika me Kosovën” së bashku mundë të bëjmë ndryshimin.
Më këtë rast komunën e Hanit të Elezit dhe këtë shkollë e vizitoi Zëvendës Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë znj Jannifer Bachus.
Zëvendës Ambasadorja znj Jannifer Bachus u prit nga Kryetari i Komunës Rufki Suma dhe Drejtori i Shkollës së Mesme “Dardania” z.Zyber Xhoni.
Kryetari Suma në emër të qytetarëve të komunës së Hanit të Elezit falënderoi znj.Bachus për vizitën si dhe për përkrahjen e gjithpërfshirëse të Qeverisë Amerikane për popullin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Ndërsa Drejtori i Shkollës së Mesme “Dardania” z.Zyber Xhoni në emër të nxënësve dhe stafit arsimorë falënderoi znj Bachus që ka zgjedhur këtë shkollë të jetë nikoqire e promovimit te projektit “Amerika me Kosovën” së bashku mundë të bëjmë ndryshimin.
Nxënësve të shkollës së Mesme “Dardania” së pari iu drejtua kryetari i komunës Rufki Suma i cili tha se duhet të ndjehemi krenar që kjo shkollë do të jetë e para që përuron këtë projekt dhe se të gjithë do të presin që do të arrihet suksesi i kërkuar, dhe për këtë jam i bindur se së bashku me ju dhe stafin arsimorë këtë edhe do ta arrini. Kryetari Suma tha se ka qenë pikërisht përkrahje e Qeverisë Amerikane përmes programit DEMI që ka ndihmuar në pajisjen e shkollave dhe mësimdhënëse me Teknologji Informative dhe sot shkollat tona procesin arsimorë ta zhvillojnë në standardet më të larta.
Duke iu drejtua nxënësve, Zëvendës Ambasadorja znj Jannifer Bachus tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë mundësi ta ndihmojnë Kosovën edhe përmes Organizatave të ndryshme joqeveritare për të ju ndihmuar gjithë juve. Elementi Mbështetës Civilo Ushtarak në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, Fondacionin IPKO dhe organizata tjera joqeveritare, dhe agjenci tjera të Qeverisës së Kosovës janë duke punuar që të trajtohen një varg çështjesh të cilat preokupojnë të rinjtë si dhe luftimin e dukurive negative me të cilat ballafaqohet rinia e Kosovës sot.Jemi të lumtur që po shohim gjithë këtë bashkëpunim të organizatave të përfshira në këtë projekt sepse ju do të keni mundësi që të mësoni nga profesionist të shumë fushave si dhe ngritjen e shumë çështjeve dhe problemeve sociale të cilat shqetësojnë të rinjtë sot, tha znj Bachus para nxënësve të kësaj shkolle.
Më pas nxënësve të shkollës përmes tavolinave të punës shumë OJQ të specializuara dhe të Policisë së Kosovës shpërndanë materiale të tyre promovuese për shumë çështje në interes të nxënësve.
Kryetari i Komunës Rufki Suma dhe Zëvendës Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë znj Jannifer Bachus zhvilluan takim edhe në komunën e Hanit të Elezit.
Gjatë takimit znj Jannifer Bachus tha se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është e njoftuar me shumë zhvillime pozitive në komunën e Hanit të Elezit dhe me këtë rast shprehu përkrahjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
Ndërsa kryetari i komunës Rufki Suma e njoftoi znj.Bachus me zhvillimet e përgjithshme në komunën e Hanit të Elezit. Kryetari Suma me këtë rast tha se përkundër buxhetit shumë të kufizuar, falë ndihmës dhe përkrahjes së donatorë kemi arritur që gati çdo vit të trefishojmë shumën e investimeve në projektet kapitale. Sot komuna e Hanit të Elezit ka infrastrukturë të rregulluar, janë bërë shumë investime në arsim dhe shëndetësi, është investuar në shërbime sa më të mira publike si dhe përmes fondeve të ndryshme po përkrahet edhe sektori privat dhe investime në bujqësi.Kryetari Suma edhe një herë në emër të qytetarëve të komunës së Hanit të Elezit falënderoi Qeverinë Amerikane e cila përmes programeve të ndryshme ka përkrahur komunën e Hanit të Elezit dhe të cilën Kryetari Suma e cilësoi si Partnerin Strategjik të zhvillimit të komunës së Hanit të Elezit.
Zyra për Informim