Kryetari i komunës së Hanit të Elezit z.Rufki Suma priti në takim pune Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga .
Vizita në komunën e Hanit të Elezit nga Presidentja Jahjaga është realizuar në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike e Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
Duke i uruar mirëseardhje në komunën e Hanit të Elezit kryetari z.Rufki Suma prezentoi komunën e Hanit të Elezit me të arriturat dhe sfidat si komunë e re.
Kryetari i komunës z.Rufki Suma e njoftoi Presidenten Jahjaga me sfidat drejt zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja. Ai me ktëtë rast tha se komuna e Hanit të Elezit për këto vite ka ka investuar shumë në infrastrukturë fizike dhe ligjore për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, mirëpo mbetet sfidë mungesë e pronës komunale, në veçanti pronën e ish armatës Jugosllave e cila për momentin menaxhohet nga AKP-ja.
Ndërsa Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga duke falënderuar kryetarin Suma për mundësin të vizitojë komunën e Hanit të Elezit shprehu respekt të veçantë për kryetarin Suma duke i cilësuar si shembull se si një kryetarë mundë të tejkalon vijat politike.
Presidentja Jahjaga tha se jemi sot këtu në komunën e Hanit të Elezit, së bashku me kryetarin e komunës dhe me kryetarët e odave ekonomike, Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane, Odës Ekonomike Gjermane, në kuadër të iniciativës që të kemi takime me shumicën e kryetarëve të komunave në Kosovë, që të diskutojmë më hollësisht për gjendjen ekonomike në nivel të komunave. Ajo tha se nga vizitat e realizuara deri më tani problemet janë po thuaj se të njejta si në aspektin ligjor, në aspektin administrativ, duke mos e anashkaluar edhe aspektin politik .Me këo vizita dëshirojmë të shohim se si të mund të intervenojmë sa më parë që është e mundur që të tejkalojmë të gjitha këto vështirësi, probleme, në mënyrë që të tërheqim investime si brenda Kosovës, por veçanërisht investimet e huaja në Kosovë, të cilat janë të ndërlidhura me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe me zbutjen e papunësisë në vend.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z.Safet Gërxhaliu tha se Ajo çka është më esenciale është vërejtja e mungesës së komunikimit nga niveli qendror në atë lokal. Zakonisht mendojmë që problemet duhet të zgjidhen vetëm në Prishtinë dhe problemet në komuna shihen nga Prishtina. Mirëpo, këto vizita po nxjerrin në pah vërtet vështirësi të shumta me të cilat ballafaqohet niveli lokal, duke filluar nga problemi me prona, qoftë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, qoftë me Agjencinë e Pyjeve, me prokurimin publik.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi thanë se problemet me të cilat ballafaqohen komunat duhet të identifikohen që të nxisim një dialog shumë të domosdoshëm, një dialog të munguar deri më tani, me qëllim të zhvillimit ekonomik, të ngritjes së punësimit në vend dhe të ngritjes së investimeve të huaja.